Kombëtarja e Kroacisë në futboll po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj.
Viti 2026 ka rezultuar katastrofal për skuadrën e Slaven Bilicit, e cila tashmë ka thyer tri rekorde negative dhe rrezikon të regjistrojë edhe një tjetër në përballjen e radhës ndaj Anglisë në Wembley.
Kroacia do të përballet me Anglinë të enjten, në orën 20:45, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kombeve.
Skuadra kroate udhëton drejt Londrës pas tri humbjeve radhazi, ndërsa të dhënat e publikuara nga kompania e statistikave Opta tregojnë përmasat e krizës që po kalon kjo përfaqësuese.
Gjatë vitit 2026, Kroacia ka regjistruar shtatë humbje, më shumë se në çdo vit tjetër kalendarik në historinë e saj.
Gjithashtu, ka pësuar 28 gola, shifër rekord që nga pavarësia e vendit.
Edhe bilanci ofensiv është shqetësues: vetëm 15 gola të shënuar, duke e çuar diferencën e golave në -13, më të dobëtën që ka pasur ndonjëherë në një vit kalendarik.
Kontrasti me vitin paraprak është i madh.
Në vitin 2025, Kroacia kishte shënuar 28 gola dhe kishte pësuar vetëm gjashtë, me një diferencë prej +22.
Brenda vetëm një viti, bilanci i golave ka pësuar një ndryshim prej 35 golash.
Rrezikon katër humbje radhazi për herë të parë në histori Rekordi i radhës negativ mund të vijë në Wembley.
Nëse mposhtet nga Anglia, Kroacia do të regjistrojë për herë të parë në historinë e saj katër humbje radhazi.
Në tri ndeshjet e fundit, kroatët janë mposhtur nga Spanja me rezultat 4-1, nga Anglia 7-0 dhe sërish nga Spanja 2-1.
Në këto tri përballje, ata kanë pësuar gjithsej 13 gola, duke dëshmuar vështirësitë e mëdha në repartin defensiv.
Situata është veçanërisht interesante edhe për shkak të rikthimit të Slaven Bilicit në stolin e përfaqësueses.
Trajneri kroat është rikthyer në krye të ekipit në shtator të këtij viti dhe në katër ndeshjet e para të mandatit të dytë ka regjistruar një fitore dhe tri humbje.
Në mandatin e tij të parë, Bilic kishte drejtuar Kroacinë në 34 ndeshje, duke arritur 24 fitore, shtatë barazime dhe vetëm tri humbje.
Kjo do të thotë se në vetëm katër ndeshjet e para pas rikthimit, ai ka pësuar po aq disfata sa në 34 takimet e para të mandatit të tij të parë.
Anglia favorite e madhe ndaj Kroacisë Sipas parashikimeve të superkompjuterit të Optas, Anglia është favorite e qartë për këtë përballje.
Përfaqësueses angleze i jepen 67.2 për qind gjasa për fitore, ndërsa mundësitë e Kroacisë vlerësohen në 14.8 për qind.
Barazimi ka probabilitet prej 18 për qind.
Në përballjen e fundit mes këtyre dy përfaqësueseve, të zhvilluar më 3 tetor në Rijekë, Anglia kishte triumfuar me rezultat të thellë 7-0.
Ajo ishte humbja më e rëndë në historinë e futbollit kroat.
Për më tepër, anglezët kanë fituar katër përballjet e fundit ndaj kroatëve.




