Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, pas barazimit me Fiorentinën, ka komentuar edhe për Edon Zhegrovën, duke shpjeguar arsyet pse ai nuk ka luajtur si titullar.
Spalletti ka theksuar vështirësitë që ka Zhegrova në ruajtjen e një niveli konstant gjatë gjithë ndeshjes.
Ai pranoi se, pas paraqitjes së tij të fundit ndaj Napolit, kishte menduar ta aktivizonte Zhegrovën nga minuta e parë në ndeshjen me Fiorentinën. “Ndodhin raste si ai i Zhegrovës.
Pas ndeshjes së kaluar mendoja: Duhet të luajë titullar.
Ndonjëherë bën minuta të fundit shumë të mira, por kur e aktivizon që nga fillimi, në ndeshje me shumë duele dhe ku duhet edhe të sulmosh, edhe të mbrohesh, humbet disa gjëra.” Ai gjithashtu theksoi se: “Bën mirë një aspekt, por më pak mirë një tjetër.
Nuk arrijmë të gjejmë kurrë ekuilibrin e plotë.” Ndërkohë, Zhegrova ka ardhur sot në Kosovë, ku do t’i bashkohet Kombëtares për dy ndeshjet e nëntorit, ndaj Izraelit dhe Irlandës.




