Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të hënën se nuk sheh pothuajse asnjë shenjë të vullnetit nga Rusia për të negociuar një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës në Ukrainë.
Në një intervistë për agjencinë Reuters, në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të G7-s në Paris, Kallas theksoi se Moska ka nënshkruar më parë një sërë marrëveshjesh që garantojnë sigurinë evropiane, por nuk i ka respektuar ato.
Ajo shtoi se çdo diskutim i ardhshëm për sigurinë e Evropës duhet të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, në përputhje me traktatet dhe strukturat e tij institucionale, e jo përmes formateve të improvizuara apo marrëveshjeve të veçanta mes shteteve.




