Policia e Kosovës ka aktualisht 799 zyrtarë me gradën e rreshterit dhe 292 me gradën e togerit, ndërsa ka ende pozita të lira në të dyja këto grada.
Për shkak të nevojave operative dhe menaxheriale, disa pozita mbulohen nga zyrtarë me gradë më të ulët, si ushtrues detyre, sipas një përgjigjeje nga Policia e Kosovës.
Ekspertët e sigurisë dhe ish-zyrtarët policorë vlerësojnë se vonesat në procesin e gradimeve krijojnë zbrazëti në zinxhirin komandues dhe ndikojnë negativisht në funksionimin e Policisë së Kosovës.
Ata kërkojnë që procedurat për avancimin e zyrtarëve policorë të përfundojnë sa më shpejt, duke paralajmëruar se mungesa e rreshterëve dhe togerëve mund të ketë pasoja për sigurinë publike.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thekson se rreshterët dhe togerët janë thelbësorë për funksionimin e strukturave organizative të Policisë, veçanërisht në aspektet operative dhe taktike. “Padyshim, ne do të duhet të analizojmë strukturën organizative të Policisë së Kosovës, ku dihet që në kuadër të saj baza kryesore e proceseve, të cilat garantojnë që mbarëvajtja e këtij organograme institucional janë rreshterët dhe togerët, të cilët luajnë një rol tejet të rëndësishëm sa i përket aspekteve operative, taktike në terren.
Prandaj, mungesa e një numri të madh të rreshterëve dhe togerëve, do të thotë barteja e përgjegjësisë dhe llogaridhënia do të jetë minimale, sepse kemi vetëm ushtrues detyre të këtyre funksioneve të zyrtarëve të lartë të Policisë së Kosovës.” Ai paralajmëron se çdo vonesë në këtë proces mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë publike dhe atë nacionale, duke krijuar zbrazëti në përgjegjësi dhe llogaridhënie. “Prandaj, çdo vonesë, çdo prolongim i mundshëm i këtij procesi determinon dhe afekton drejtpërdrejt çështje të sigurisë publike dhe asaj nacionale.” Shala kritikon gjithashtu praktikën e emërimit të ushtruesve të detyrës për periudha të gjata, duke e konsideruar si një dobësi në llogaridhënien institucionale. “Dihet që në Republikën e Kosovës është krijuar një kult që krijojmë ushtrues detyre me mandate të tëra, dhe pikërisht kjo mundësi e këtij ushtrimi të U.D.-së është një neglizhencë menaxheriale.” Ish-eprori i Policisë së Kosovës, Refki Morina, vlerëson se gradimet janë të domosdoshme për mbulimin e pozitave të lira dhe për të siguruar funksionimin e stacioneve policore. “Është shumë e nevojshme që në Policinë e Kosovës të kemi gradime, sidomos gradës Rreshter dhe gradave operative.” Sipas tij, mungesa e zyrtarëve me gradën e rreshterit ndikon negativisht në profesionalizmin dhe rezultatet e institucionit. “Në zinxhirin hierarkik mungesa e rreshterëve bën që në kuadrat e tyre të merren njerëz ose policë të cilët nuk kanë kaluar në gradën rreshter.” Në përgjigjen e saj, zyra për media e Policisë ka bërë të ditur se ka pozita të lira për të dyja gradat, veçanërisht në departamentet me numrin më të madh të personelit. “Lidhur me interesimin tuaj, ju njoftojmë se në Policinë e Kosovës aktualisht janë 799 zyrtarë me gradë rreshter dhe 292 zyrtarë me gradë toger.” Procesi i gradimeve në Policinë e Kosovës është përcjellë me pengesa edhe në vitet e kaluara, duke anuluar një konkurs për 350 pozita të rreshterëve pas gjetjeve të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Kjo situatë tregon nevojën për një qasje më të shpejtë dhe efektive në procesin e gradimeve për të siguruar një polici funksionale dhe të përgjegjshme.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




