Në një incident tragjik në sheshin kryesor të Krakovit, Poloni, të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe rreth 12 të tjerë janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri.
Sipas policisë polake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, në zonën e Rynek Główny, e cila është një nga pikat më të frekuentuara të qytetit.
Autoritetet raportojnë se një burrë ka hyrë me veturë në shesh dhe më pas ka filluar të qëllonte në mënyrë të rastësishme drejt turmës.
I dyshuari është arrestuar, dhe mes të plagosurve përfshihen edhe disa zyrtarë policorë.
Në vendin e ngjarjes janë mobilizuar një numër i madh i ekipeve të policisë, zjarrfikësve dhe shërbimeve emergjente, dhe zona përreth sheshit kryesor është siguruar nga autoritetet.
Pamjet e Krakovit tregojnë forca të shumta të sigurisë dhe ekipe emergjente që janë duke operuar në këtë zonë.
Autoritetet e qytetit kanë apeluar qytetarëve që të qëndrojnë larg vendit të ngjarjes dhe të respektojnë udhëzimet e shërbimeve emergjente.
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka reaguar ndaj sulmit dhe ka theksuar se po mbahet i informuar për situatën nga ministri i Brendshëm. “Policia po heton sfondin dhe të gjitha rrethanat e sulmit,” ka deklaruar Tusk.
Rynek Główny ndodhet në zemër të qytetit të vjetër të Krakovit dhe konsiderohet si një prej shesheve mesjetare më të mëdha në Evropë.




