Viti 2026 pritet të jetë viti i dytë më i nxehtë që është regjistruar ndonjëherë, ndërsa fenomeni klimatik El Nino vazhdon të përforcojë ngrohjen globale të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor.
Këtë paralajmërim e jep Shërbimi i Bashkimit Evropian për Ndryshimet Klimatike, Copernicus.
Sipas të dhënave të publikuara nga ky institucion, ka një mundësi prej 20% që temperaturat globale gjatë vitit 2026 të arrijnë ose të tejkalojnë rekordin e vitit 2024, i cili aktualisht është viti më i nxehtë i regjistruar deri tani.
Copernicus vlerëson se temperaturat mesatare globale për vitin 2026 do të jenë me siguri mbi pragun prej 1.5 gradë Celsius krahasuar me nivelet paraindustriale.
Edhe mesatarja e periudhës 2023-2026 pritet të kalojë këtë kufi, i cili është vendosur në Marrëveshjen e Parisit për klimën.
Një tjetër tregues shqetësues është tetori, i cili sipas monitoruesit evropian rezultoi muaji më i nxehtë i këtij lloji ndonjëherë i regjistruar.
Temperatura mesatare globale e ajrit arriti në 1.75 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale, të llogaritura për periudhën 1850-1900.
Ky ishte gjithashtu muaji i tretë radhazi që temperaturat globale regjistruan vlera mbi pragun prej 1.5 gradë Celsius.
Samantha Burgess, drejtuese për klimën në Qendrën Evropiane për Parashikimet e Motit, deklaroi se gjatë tetorit vazhdoi tendenca e ngrohjes globale, me temperatura rekord si në atmosferë, ashtu edhe në oqeane.
Ajo theksoi se fenomeni El Nino, i cili po zhvillohet me intensitet të lartë, po shton ndikimin e ngrohjes globale të shkaktuar nga aktivitetet njerëzore.




