Para mbledhjes së rëndësishme më 19 dhjetor, ku do të shqyrtohet situata rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, do të mbahet një takim tjetër ndërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) dhe Komitetit Organizativ të Kosovës.
Burime nga KosovaPress kanë konfirmuar se ky takim pritet të mbahet në ditët e ardhshme në Athinë, Greqi.
Në këtë takim do të diskutohen çështje të rëndësishme që lidhen me situatën aktuale të përgatitjeve për këtë ngjarje të madhe sportive.
Takimi zhvillohet në një periudhë kritike për të ardhmen e Lojërave Mesdhetare, pasi projekti ‘Prishtina 2030’ po përballet me shumë sfida, përfshirë vonesat në përmbushjen e obligimeve financiare dhe garancive që kërkohen nga organizatorët.
Kujtojmë se ICMG ka caktuar 19 dhjetorin si datë për shqyrtimin e mëtejshëm të situatës, në një mbledhje që mund të jetë vendimtare për fatin e organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë.
Takimi i pritshëm në ditët në vijim shihet si një mundësi tjetër për të diskutuar problemet e akumuluara dhe për të shqyrtuar hapat që mund të ndërmerren para mbledhjes së 19 dhjetorit.




