Rina Balaj tregon për marrëdhënien e saj me Feron dhe Arbenita Ismajlin

- Advertisement -

Rina Balaj ka folur hapur për marrëdhënien e saj me reperin Fero, me të cilin vite më parë solli bashkëpunime që u shndërruan në hite dhe lanë gjurmë në karrierat e të dyve. Gjatë një interviste në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, këngëtarja tregoi se mes saj dhe Feros ka pasur gjithmonë respekt dhe afërsi, pavarësisht ndryshimeve në karrierë apo jetën personale.

Ajo theksoi se ata të dy e kanë nisur rrugën muzikore që në moshë shumë të re, gjë që ka bërë që raporti i tyre të kalojë përtej bashkëpunimit profesional.

“Unë me Feron mund të them lirisht se jemi rritur bashkë. Kemi qenë shumë të rinj kur kemi filluar të punojmë. Me mua ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm, dhe jo vetëm me mua, por edhe me shoqërinë time që janë krejt vajza,” – u shpreh Rina.

Artistja shtoi se gjatë viteve kanë pasur gjithmonë mbështetje të ndërsjellë dhe këshilla profesionale.

“Shumë shpesh kemi marrë këshilla nga njëri-tjetri gjatë këtyre viteve. Edhe pse nuk kemi qenë në të njëjtin label, kemi vazhduar të ruajmë një raport shumë të mirë. Unë Feron e shoh si vëllain tim, si Rigonin,” – tha ajo, duke përdorur emrin e vërtetë të reperit.

- Advertisement -

E pyetur për procesin gjyqësor ndaj Feros, i cili akuzohet nga ish-bashkëshortja e tij, Arbenita Ismajli, për dhunë në familje, Rina preferoi të mos shprehej në mënyrë të drejtpërdrejtë.

“Nuk mund të gjykoj për diçka që nuk e kam parë vetë,” – përfundoi ajo.

- Advertisement -