Mijëra qytetarë dolën të enjten në mbrëmje në rrugët e Lozanës për të protestuar kundër masave të kursimit dhe shkurtimeve të planifikuara në sektorin publik të kantonit të Vaud-it.
Sipas vlerësimeve të agjencisë së lajmeve Keystone-SDA dhe policisë, në protestë morën pjesë nga 6 mijë deri në 8 mijë persona, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri i demonstruesve kaloi 15 mijë.
Protestuesit marshuan nëpër qendrën e qytetit, duke përfunduar në Place du Château, ku ndodhet selia e qeverisë kantonale.
Gjatë marshimit, u dëgjuan thirrje si “Para për shërbimin publik” dhe “Taksoni të pasurit”, ndërsa pankartat kundërshtonin politikat e kursimit dhe kërkonin ndalimin e shkurtimeve.
Tri sindikatat që përfaqësojnë punonjësit e sektorit publik kërkojnë anulimin e masave shtrënguese të parashikuara në buxhetin kantonal për vitin 2027.
Ato i bëjnë thirrje qeverisë që të shfrytëzojë rezervat financiare dhe të ardhurat e jashtëzakonshme për të mbuluar deficitin e parashikuar, në vend që të reduktojë shpenzimet për shërbimet publike.
Drafti fillestar i buxhetit për vitin 2027, i prezantuar në shtator, parashikonte një deficit prej 356 milionë frangash zvicerane.
Në këtë projekt ishin përfshirë masa kursimi prej 65 milionë frangash dhe lirimi i rezervave në vlerë prej 440 milionë frangash.




