Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zhvilluar një takim me zëvendësministren e Brendshme të Lituanisë, Ana Burkovskiene, në margjinat e Forumit Ministror të BE-së – Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, që po mbahet në Budvë.
Gjatë këtij takimi, palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë, me një fokus të veçantë në sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe koordinimin e përpjekjeve për t’i adresuar ato.
Sveçla shprehu mirënjohje për kontributin e Lituanisë në misionin paqeruajtës të KFOR-it, duke theksuar pjesëmarrjen e trupave të saj ushtarake.
Ai e theksoi gjithashtu se Lituania vazhdon të mbështesë Kosovën në procesin e integrimit evropian. “Theksuam se përballemi me sfida të përbashkëta të sigurisë dhe biseduam për mundësitë e bashkërendimit të përpjekjeve për t’i adresuar dhe tejkaluar ato”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian, të cilën Lituania pritet ta marrë më 1 janar 2027.
Sipas Sveçlës, kjo periudhë mund të krijojë mundësi të reja për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




