Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka pritur të mërkurën ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për prioritetet e Ministrisë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Hoti njoftoi se ambasadori britanik e uroi për konfirmimin e mandatit të ri qeverisës dhe u informua mbi nismat dhe angazhimet institucionale të Ministrisë. “Diskutuam për prioritetet dhe planet e Ministrisë për sektorët që mbulojmë, si dhe për përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar ofron në fusha të caktuara të veprimtarisë së Ministrisë dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit”, u shpreh Hoti në një postim.
Ai gjithashtu e falënderoi ambasadorin Hargreaves, Mbretërinë e Bashkuar dhe popullin britanik për mbështetje të vazhdueshme ndaj Kosovës. “E falënderova Ambasadorin Hargreaves, Mbretërinë e Bashkuar dhe popullin britanik për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit tonë, si dhe theksova përkushtimin për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona”, deklaroi ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




