Raphinha ka shpalosur ambiciet e tij për vitet e ardhshme te Barcelona, duke e vendosur në plan të parë suksesin e skuadrës dhe fitimin e çdo trofeu të mundshëm deri në vitin 2030.
Sulmuesi brazilian, i cili së fundmi zyrtarizoi vazhdimin e kontratës me katalunasit deri më 30 qershor 2030, ka folur për synimet që e motivojnë çdo ditë, duke theksuar se objektivi kryesor është fitimi i trofeve me fanellën e Barcelonës.
Në mesin e objektivave të tij të veçantë është edhe triumfi në Ligën e Kampionëve, një trofe që Barcelona synon ta rikthejë në vitrinën e saj. “Të gjithë futbollistët dëshirojnë të njihen përmes trofeve.
Synimi im është t’i fitoj të gjithë titujt e mundshëm.
Për momentin kam shifra pozitive dhe shpresoj të vazhdojmë në këtë mënyrë”. “Ekziston një trofe, si Liga e Kampionëve, të cilin kemi për synim ta fitojmë.
Po bëjmë gjithçka që është e mundur për ta arritur këtë.
Dua t’i fitoj të gjithë trofetë e mundshëm deri në vitin 2030”, deklaroi Raphinha.
Braziliani foli gjithashtu për dëshirën e tij për të lënë gjurmë në historinë e klubit katalunas, aty ku kanë shkëlqyer shumë legjenda nga vendi i tij.
Megjithatë, ai theksoi se nuk dëshiron të bëjë krahasime, por të fitojë vetë respektin dhe dashurinë e tifozëve të Barcelonës. “Unë nuk i pëlqej krahasimet.
Ata kanë bërë histori në klub dhe e kanë dashurinë e tifozëve të Barcelonës.
Unë jap maksimumin për të fituar një vend në zemrat e tifozëve.
Kur mbërrita, gjatë dy viteve të para, nuk e imagjinoja se do të arrija deri këtu.
Shumë njerëz më kritikuan ashpër, por unë e dija se deri ku mund të arrija dhe çfarë mund t’i jepja skuadrës në fushë.
Gjithmonë kam besuar shumë në punën time”, përfundoi braziliani.




