Sot, Bundestagu gjerman do të votojë për një reformë të re në autoshkolla, e cila ka si qëllim të ulë kostot për marrjen e patentë-shoferit dhe të modernizojë procesin e aftësimit të shoferëve.
Sipas propozimit të Ministrisë së Transportit, reforma do të ofrojë më shumë mundësi për mësim teorik online, do të reduktojë burokracinë dhe do të sjellë ndryshime në numrin e orëve të detyrueshme për praktikën e vozitjes.
Aktualisht, kostoja për marrjen e patentës së kategorisë B në Gjermani arrin mesatarisht rreth 3.400 euro.
Ministri i Transportit, Steffen Bilger, ka theksuar se përmes këtyre ndryshimeve, kandidatët do të kenë mundësi të kursejnë disa qindra euro, dhe në rastet më të favorshme, kursimi mund të arrijë deri në 1.000 euro.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është heqja e detyrimit për ndjekjen fizike të mësimit teorik.
Në të ardhmen, kandidatët do të kenë mundësinë ta përvetësojnë materialin edhe përmes aplikacioneve dhe platformave digjitale.
Ndryshime të tjera priten edhe në pjesën praktike.
Deri tani, kandidatët për patentën e kategorisë B duhet të realizojnë 12 vozitje të posaçme, që përfshijnë rrugët jashtë qytetit, autostradën dhe vozitjen gjatë natës.




