Janë zbardhur detaje të reja nga vendimi i Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion për ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila akuzohet për ofrimin e ndihmës gjatë kohës që ishte në arrati biznesmenit Ergys Agasi.
Masat e sigurisë për Hysenin, të cilat përfshijnë ‘arrest në shtëpi’, janë lënë në fuqi nga GJKKO.
Në dokumentin gjyqësor, përshkruhen komunikimet telefonike midis Ergys Agasit dhe dy shtetasve izraelitë, Shalev I. dhe Srulik E.K.
Agasi i referohet njohjeve të tij me ish-drejtoreshën e Shërbimit Sekret shqiptar dhe ndërhyrjeve që ajo mund të bënte, sipas mesazheve të shkëmbyera.
Një nga komunikimet me Shalev I. përmban një deklaratë të Agasit, ku ai shkruan: “E kam shoqe të ngushtë shefen e shërbimit sekret”.
Gjithashtu, në mesazhin me Srulik E.K., Agasi thotë: “Jemi me fat që këtu e kanë kapur vetë amerikanët dhe e dinë sjelljen e tij dhe diçka tjetër, drejtoresha e Shërbimit Sekret do të takohet vetë me të dhe do t’i flasë për këtë punë, duke i sjellë prova që prokurori e ka bërë këtë për interesa të tjera”. “Komunikimet e ndërmjetësuara nga Agasi me shtetasit me pseudonimet Shalev I. dhe Srulik E.K., të cilët përmenden lidhur me drejtuesen e Shërbimit Sekret, tregojnë praninë e një rrjeti ndërkombëtar në funksion të interesave të grupit kriminal, duke rritur rrezikun se Hyseni, po të ishte në gjendje të lirë, do të kishte akses të privilegjuar ndaj kanaleve të largimit apo fshehjes që janë jashtë kontrollit të organeve proceduese.”, thuhet në vendimin e GJKKO-së.
Këto komunikime janë pjesë e materialeve të përfshira në vendimin e GJKKO-së dhe hedhin dritë mbi marrëdhëniet e Agasit dhe ndikimin që mund të kishte Vlora Hyseni gjatë kohës që ai ishte në arrati. Është e rëndësishme të përmendet se më herët në dosjen hetimore të SPAK, u zbardhën komunikimet telefonike midis Agasit dhe Hysenit, ku ata flisnin për armiq që i donin të keqen dhe që po i sulmonin, madje Hyseni e informonte për lëvizjet e mundshme në politikë.
Si rezultat i këtyre hetimeve, SPAK-u lëshoi masën ‘Arrest shtëpie’ për Hysenit dhe e shkarkoi nga detyra, duke shkaktuar një ‘furtunë’ reagimesh në opinionin publik për përmasat e këtij skandali, ku kreu i SHESH përdor informacione sekrete për llogari të një personi të kërkuar nga drejtësia.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




