Platforma “Liria ka Emër” ka dërguar një letër zyrtare anëtarëve të Parlamentit Evropian në Bruksel, për të shqyrtuar shqetësimet serioze që kanë shoqëruar funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Në kërkesat e tyre, ata i bëjnë thirrje Parlamentit Evropian të organizojë një dëgjim parlamentar të posaçëm, ku të trajtohen shqetësimet e identifikuara në raportin e BHRC-së dhe çështjet e tjera që lidhen me respektimin e të drejtave themelore në Dhomat e Specializuara.
Ky dëgjim duhet të përfshijë përfaqësues të institucioneve përkatëse, ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të mbrojtjes.
Ata gjithashtu kërkojnë një vlerësim të pavarur ndërkombëtar për të shqyrtuar praktikën institucionale dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut, përfshirë çështjet që nuk janë trajtuar në mënyrë shteruese në raportin paraprak të BHRC-së.
Në letrën e tyre, ata nxisin Komisionin Evropian dhe Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) që të përgatisin një raport të posaçëm mbi transparencën, përgjegjësitë institucionale dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut në funksionimin e Dhomave të Specializuara.
Një tjetër kërkesë është që të shqyrtohen mekanizmat e financimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga shtetet kontribuuese dhe institucionet që mbështesin Dhomat e Specializuara.
Po ashtu, ata kërkojnë mundësinë e një nisme parlamentare për të forcuar mekanizmat e pavarur të monitorimit dhe garantimin e standardeve të gjykimit të drejtë.
Në fund, Platforma “Liria ka Emër” shpreh nevojën për një takim me përfaqësuesit e saj, për të paraqitur më gjerësisht shqetësimet dhe propozimet për veprim institucional.
Ata kërkojnë një përgjigje zyrtare dhe informacion mbi mundësinë e organizimit të një takimi me përfaqësuesit e tyre. “Kosova e njeh rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare dhe nuk kërkon të përjashtojë askënd nga përgjegjësia individuale për krimet e provuara.
Por po aq fuqishëm beson se drejtësia nuk mund të jetë selektive, e mbyllur ndaj shqyrtimit apo e përjashtuar nga standardet që vetë institucionet ndërkombëtare kanë ndihmuar t’i ndërtojnë.
Një proces gjyqësor nuk e dëshmon legjitimitetin e tij vetëm duke zhvilluar procedura dhe duke shqiptuar vendime.
Ai e dëshmon atë duke garantuar se çdo i akuzuar ka pasur mundësi reale për mbrojtje, se çdo provë është shqyrtuar me paanshmëri dhe se çdo vendim është marrë në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë.
Ne nuk po kërkojmë që historia të gjykohet përmes emocioneve, por as që ajo të shkëputet nga konteksti në të cilin ka ndodhur.
Nuk po kërkojmë imunitet për askënd, por garanci që askush të mos gjykohet jashtë standardeve universale të drejtësisë.
Liria e Kosovës nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve.
Përgjegjësia penale është individuale, ndërsa drejtësia duhet të jetë universale.
Presim që Parlamenti Evropian të mos mbetet vetëm vëzhgues i këtyre shqetësimeve, por të ushtrojë kompetencat e tij për të kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe respektim të të drejtave themelore.
Kërkojmë përgjigje zyrtare dhe informacion mbi mundësinë e organizimit të një takimi me përfaqësuesit tanë.” Kosova, një shtet i vogël evropian me rreth 1.6 milion banorë, bart një histori të rëndë të persekutimit, dhunës dhe sakrificës për liri.
Në fund të shekullit të kaluar, populli i saj u përball me një fushatë sistematike të shtypjes nga regjimi serb, e cila kulmoi me luftën e viteve 1998–1999, me dëbime masive, shkatërrim të pronës dhe masakra ndaj popullsisë civile.
Pas përfundimit të luftës, Kosova kaloi nëpër një varg mekanizmash ndërkombëtarë të administrimit dhe drejtësisë.
Pavarësisht se ishte një popull që kishte përjetuar agresionin dhe pasojat e tij, Kosova pranoi që pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës të hetoheshin e të gjykoheshin nga mekanizma ndërkombëtarë.
Kjo ishte një dëshmi e besimit në drejtësinë ndërkombëtare dhe e gatishmërisë për të respektuar parimin se përgjegjësia penale është individuale dhe se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.
Në këtë kontekst, nuk mund të anashkalohet një nga mospërputhjet më thelbësore që ka shoqëruar themelimin dhe funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Procesi politik dhe institucional që çoi në krijimin e këtij mekanizmi u nxit nga raporti i Dick Marty-t, i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në vitin 2011, ku pretendimet për trafikim të organeve njerëzore përbënin një nga çështjet qendrore.
Megjithatë, pas gjithë këtyre viteve hetimesh dhe procedurash, trafikimi i organeve nuk figuron në aktakuzën kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo mospërputhje ka cenuar rëndë besimin e një pjese të madhe të shoqërisë kosovare në këtë mekanizëm.
Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, është e vështirë të kuptohet përse Ushtria Çlirimtare e Kosovës vazhdon të jetë objekt i një vëmendjeje kaq të jashtëzakonshme dhe të pandërprerë nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë.
Pas kalimit nëpër një varg të gjatë institucionesh hetimore e gjyqësore ndërkombëtare, krijohet përshtypja sikur Kosova të kishte pasur ushtrinë e Kinës, e jo një forcë çlirimtare të organizuar në rrethanat e një lufte për mbijetesë.
Sot, shqetësimet lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara nuk mund të shihen vetëm si çështje procedurale.
Ato prekin besimin e qytetarëve të Kosovës në drejtësinë ndërkombëtare, respektimin e të drejtave të njeriut dhe besueshmërinë e vetë mekanizmave që janë krijuar në emër të drejtësisë.
Në këtë kontekst, Platforma qytetare “Liria ka Emër” shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me një sërë çështjesh që kanë shoqëruar funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




