Dyshohet se terroristi Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq janë arratisur nga Serbia në Rusi dhe tani ndodhen në Moskë.
Këto figura të njohura nga veriu i Kosovës, që prej vitesh janë konsideruar si bashkëpunëtorë të ngushtë të Aleksandër Vuçiqit dhe pjesë e rrjetit të ndikimit të SNS-së, dyshohet se janë larguar nga Serbia.
Po ashtu, është e mundur që edhe Andrej Vuçiq, vëllai i ish-presidentit, të ketë vepruar në një mënyrë të ngjashme.
Veselinoviqi dhe Radoiçiqi janë përmendur shpesh në raportimet për krim të organizuar, kontrabandë, korrupsion dhe ndikim politik në veri të Kosovës, si dhe për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.
Të dy këta individë janë vendosur nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa lidhjet e tyre me strukturat e pushtetit në Serbi vazhdojnë të ngrejnë pyetje të shumta për mbrojtjen politike që ata mund të kenë gëzuar.
Radoiçiqi ka pranuar publikisht përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Për këtë arsye, Kosova i ka ngritur aktakuzë për terrorizëm, ndërsa qëndrimi i tij në liri në Serbi pas sulmit ka shkaktuar kritika ndaj autoriteteve serbe dhe kërkesa për llogaridhënie.
Në materialin mbi të cilin mbështetet ky raportim, ngrihen gjithashtu pretendime për lidhje të Veselinoviqit, Radoiçiqit dhe Andrej Vuçiqit me pronësinë e fshehur dhe veprimtarinë financiare të Alta Bankës.
Emrat e tyre janë përmendur edhe në raportime mbi komunikimet e deshifruara të platformës “Sky”, ku shfaqen dyshime për kontakte me figura të krimit të organizuar dhe ndikim mbi rrjete të fuqishme financiare.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




