Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se në ambasadën e Kosovës në Berlin është organizuar ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë përfunduar një program studimi trevjeçar në akademitë ushtarake të Gjermanisë.
Në këtë ceremoni, siç tha ministri, ishin të pranishëm edhe përfaqësues ushtarakë nga Ministria Federale e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Gjermanisë.
Maqedonci uroi kadetët e FSK-së për arritjet e tyre, duke theksuar se ata do t’i bashkohen oficerëve të Ushtrisë së Kosovës. “Urime Xheto Kelmendit për diplomimin në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nikës në logjistikë, Gentri Azemit në IT ushtarake, si dhe Lavdim Sylejmanit dhe Betim Elshanit në polici ushtarake.
Pas diplomimit, ata do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës dhe do t’i shërbejnë vendit me njohuritë e përgatitjen e fituar,” tha ministri i Mbrojtjes.
Deri tani, ai theksoi se 18 kadetë kanë përfunduar studimet në akademitë ushtarake të Gjermanisë, ndërsa 16 të tjerë janë aktualisht duke ndjekur studime ushtarake në akademi të ndryshme gjermane.
Sipas tij, përmes programit Military Training Assistance, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Gjermani. “Ky bashkëpunim po kontribuon në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse.
E falënderoj Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm, ndërsa kadetëve tanë u uroj suksese në shërbim të Republikës së Kosovës,” shkroi ministri Maqedonci në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




