Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e HANDIKOS-it, ku ka diskutuar për sfidat që hasin personat me aftësi të kufizuara dhe nevojën për mbështetje më të madhe nga institucionet.
Në një postim, Kurti ka theksuar se dinjiteti dhe mundësitë e barabarta duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes institucionale. “Bashkë me përfaqësuesit e HANDIKOS-it, diskutuam për sfidat e personave me aftësi të kufizuara si dhe për nevojën për zgjidhje konkrete dhe mbështetje institucionale”, ka shkruar Kurti.
Vëmendje e veçantë gjatë takimit, sipas Kurtit, i është kushtuar ligjit gjithëpërfshirës, i cili ka si qëllim të adresojë nevojat dhe kërkesat e personave me aftësi të kufizuara.
Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me organizatat dhe shoqatat përkatëse gjatë hartimit të këtij ligji. “Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me organizatat dhe shoqatat përkatëse, të cilat i njohin më së miri sfidat dhe nevojat e tyre”, ka deklaruar Kurti.
Në fund, kryeministri ka ritheksuar angazhimin e Qeverisë për të adresuar kërkesat e kësaj kategorie dhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre. “Si Qeveri angazhohemi maksimalisht për adresimin e këtyre kërkesave dhe përmirësimin e mirëqenies së personave me aftësi të kufizuara”, ka shkruar ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




