temp image 273 temp image 273 scaled

Prishtina triumfon ndaj Dritës në një ndeshje emocionuese

- Advertisement -

Prishtina ka arritur një fitore të rëndësishme në udhëtim te Drita, duke e mposhtur atë me rezultatin 1-2 në ndeshjen e mbetur të javës së dytë në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i trajnerit Orges Shehi u tregua i fortë përballë skuadrës së Ardian Nuhiut, duke e ndalur serinë e katër fitoreve radhazi të Dritës dhe duke i “nxjerrë hakun” pas humbjes në Hajvali disa javë më parë.

Goli i parë i ndeshjes u shënua në minutën e shtatë nga Blendi Bafti, i cili realizoi një gol të bukur për 0-1 pas një topi të kthyer nga zona.

Megjithatë, Drita arriti të rikthehej në lojë në minutën e 19-të falë Blerim Krasniqit, i cili barazoi shifrat në 1-1.

Pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja skuadrat, pjesa e parë përfundoi me rezultat të barabartë.

Në pjesën e dytë, kryeqytetasit u treguan më seriozë dhe konkretë.

Edhe pse pati raste për të dyja ekipet, ishte Ardian Hasani ai që shënoi golin e dytë për Prishtinën në minutën e 51-të, duke i dhënë skuadrës së tij avantazhin 1-2 me një goditje të bukur me kokë.

Deri në fund të ndeshjes, zhvillimet ishin të luftuara, por asnjëra skuadër nuk arriti ta gjejë përsëri rrjetën.

Kështu, Prishtina u gëzua me një fitore të madhe, duke u rikthyer në krye të kampionatit me 29 pikë, ndërsa Drita mbetet e treta me 23 pikë.

- Advertisement -