Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Gjatë këtij takimi, u diskutuan zhvillimet aktuale në vend, mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet palëve dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishin rastet e fundit të vrasjeve të grave në Kosovë, si dhe nevoja për një angazhim të përbashkët institucional e shoqëror për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Myftiu Tërnava e njoftoi ambasadorin për angazhimin e Bashkësisë Islame në këtë drejtim, duke theksuar rolin e institucioneve fetare në edukimin, vetëdijesimin dhe promovimin e respektit për jetën dhe dinjitetin njerëzor.
Ai theksoi se luftimi i dhunës ndaj grave kërkon bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe faktorëve shoqërorë, me qëllim të ndërtimit të një shoqërie më të sigurt dhe me më shumë respekt.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




