Demokrati Adam Hamilton arriti të fitojë një vend në Senatin e SHBA-së nga Kansas-i të martën, sipas parashikimeve të mediave amerikane.
Ai mundi republikanin në detyrë, Roger Marshall, duke u bërë kështu demokrati i parë që fiton një garë për Senatin në këtë shtet konservator dhe kryesisht rural, që nga viti 1932.
Ky rezultat është një goditje e madhe për ish-presidentin Donald Trump, i cili kishte fituar në Kansas me një diferencë prej më shumë se 10 pikësh në secilën nga tri fushatat e tij presidenciale.
Javën e kaluar, Trump udhëtoi drejt këtij shteti – kjo ishte vizita e tij e parë atje që nga viti 2018 – për të kërkuar mbështetje për Marshallin.
Hamilton, një pastor i një kishe të madhe metodiste, deri vonë kishte qenë i regjistruar si republikan dhe kishte menduar të garonte si i pavarur para se të hynte në garë si demokrat.
Ai zhvilloi një fushatë si një politikan i moderuar, duke mbajtur distancë nga drejtuesit kombëtarë të partisë dhe duke u zotuar se nuk do ta mbështeste Chuck Schumer-in si udhëheqës të shumicës në Senat.
Gjithashtu, ai kritikoi mënyrën se si administrata e ish-presidentit Joe Biden e trajtoi çështjen e imigracionit, përqendruar kritikat e tij kryesisht ndaj Marshallit dhe republikaneve në Kongres, e jo ndaj ish-presidentit. “Unë nuk po kandidoj kundër ish-presidentit Trump”, tha ai gjatë debatit të tyre të fundit.
Nga ana tjetër, Marshall u tha votuesve se mbështetja për të nënkuptonte mbështetje për agjendën e ish-presidentit.
Të dy kandidatët gjithashtu u përplasën mbi tarifat; Hamilton bëri thirrje për heqjen e tarifave të vendosura nga Trumpi dhe kërkoi që çdo tarifë e re të miratohej nga Kongresi, ndërsa Marshall këmbënguli se ato po jepnin rezultate.
Shumë fermerë në Kansas, të cilët tashmë po përballeshin me kosto të larta të karburantit – të nxitura nga lufta në Iran – janë goditur nga tarifat hakmarrëse që prekin eksporte të tilla si soja dhe gruri.
Blegtorët gjithashtu u zemëruan nga një plan i Trump-it për të lehtësuar tarifat mbi importet e mishit të viçit.
Në qarkun rural Neosho, ku dy vite më parë 73 për qind e votuesve mbështetën Trump-in, në javët e fundit të fushatës u shfaqën tabela mbështetëse për Hamiltonin.




