temp image 167 temp image 167 scaled

Tragjedia në Futboll: Portieri i Andorrës, Jesus Owono, Ndjen Dhimbje pas Vdekjes së De Miguel

- Advertisement -

Portieri i Andorrës, Jesus Owono, kishte në plan t’i kërkonte falje personalisht familjes së Jesus De Miguel, sulmuesit të Tenerifes, me të cilin pati një përplasje gjatë ndeshjes së hënës, por nuk arriti ta realizonte këtë para se futbollisti të ndërronte jetë të martën në mëngjes.

Sipas radios spanjolle COPE, Owono është thellësisht i tronditur nga ngjarja.

Ai kishte ndjekur me përkushtim gjendjen e De Miguelit përmes delegatit dhe mjekut të klubit të Andorrës.

Portieri dëshironte që fillimisht t’i kërkonte falje familjes në mënyrë private, para se të bënte ndonjë deklaratë publike.

Ai synonte të kontaktonte personalisht familjarët ose ndonjë nga të afërmit e futbollistit, sapo të vinte momenti i duhur.

Tenerife njoftoi të martën në mëngjes se Jesus De Miguel kishte ndërruar jetë në orën 08:00, në moshën 30-vjeçare.

Vetëm disa orë më herët, klubi kishte bërë të ditur se gjendja e tij neurologjike ishte përkeqësuar. “I thyer nga dhimbja, me një nyjë në fyt dhe ende nuk mund ta besojmë se kjo është e vërtetë”, thuhej në reagimin e klubit, i cili gjithashtu kërkoi respektimin e privatësisë së familjes në këtë moment të vështirë.

Sipas COPE, në klubin e Andorrës mbizotëron një atmosferë e rëndë dhe tronditja është e madhe.

Disa futbollistë e kanë përshkruar këtë ngjarje si përvojën më të vështirë që kanë kaluar ndonjëherë në një fushë futbolli.

Klubi ka theksuar se Owono nuk kishte asnjë qëllim të keq dhe se nuk kishte dashur në asnjë moment ta lëndonte kundërshtarin.

Raportimet tregojnë se portieri e pati veçanërisht të vështirë të përballonte thirrjet “vrasës” që vinin nga tribunat e stadiumit ‘Heliodoro Rodriguez Lopez’.

Pas ngjarjes, ai madje e bëri privat profilin e tij në Instagram.

Ngjarja tragjike ndodhi të hënën, në minutat shtesë të ndeshjes Tenerife-Andorra, e cila në atë moment ishte me rezultat 2-2.

Owono doli me vonesë nga zona e portës për të intervenuar në një top të gjatë, por gjatë tentativës për ta larguar atë, goditi me gju në kokë sulmuesin De Miguel, i cili u rrëzua menjëherë në fushë.

Portieri i Andorrës u ndëshkua me karton të kuq direkt, ndërsa De Miguel pësoi arrest kardiak.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe arriti ta rikthente në jetë në fushë, përpara se ai të transportohej me ambulancë drejt spitalit.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, gjendja e tij u përkeqësua dhe ai ndërroi jetë të martën në mëngjes.

- Advertisement -