temp image 163 temp image 163

Aktakuza ndaj A.J. për vrasjen e Diana Kastratit 15 vite pas ngjarjes

- Advertisement -

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj A.J., të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit, 15 vjet pas ngjarjes tragjike.

Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria, e cila ka bërë të ditur se aktakuza është ngritur në mungesë më 22 tetor 2026.

Përveç veprës penale të vrasjes, A.J. akuzohet gjithashtu për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë ka ndryshuar pas një dekade e gjysmë dhe çfarë e ka mundësuar ngritjen e aktakuzës tani.

Sipas raportimeve të mëparshme, i akuzuari ndodhej në Spanjë dhe autoritetet kosovare kishin hasur në pengesa për ekstradimin e tij.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Prokurorinë për arsyet e vonesës së aktakuzës dhe zhvillimet e mundshme në hetime, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka konfirmuar nëse e ka pranuar aktakuzën dhe në cilën fazë ndodhet procedura gjyqësore.

Rasti i Diana Kastratit është bërë një shembull i dështimit institucional në mbrojtjen e grave nga dhuna në Kosovë.

Diana u vra vetëm 22 ditë pasi kishte kërkuar mbrojtje emergjente nga gjykata, e cila nuk kishte vepruar ndaj kërkesës së saj – një mosveprim që më vonë u konstatuan si shkelje e të drejtës për jetë nga Gjykata Kushtetuese.

Diana Kastrati ishte 27 vjeçe kur u vra më 18 maj 2011, në Prishtinë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ishte qëlluar me armë zjarri në qafë nga ish-partneri i saj, A.J., me të cilin kishte jetuar për më shumë se dhjetë vjet dhe kishin një vajzë së bashku.

Më 17 janar 2011, Diana kishte paraqitur padi për ndarjen nga A.J. për shkak të përkeqësimit të marrëdhënieve mes tyre.

Pas paraqitjes së padisë, ajo u zhvendos me vajzën te prindërit e saj.

Më 26 prill të atij viti, për shkak të kërcënimeve që pretendoheshin ndaj saj dhe vajzës, Diana iu drejtua Gjykatës Komunale në Prishtinë për një urdhër mbrojtjeje emergjente.

Sipas ligjit, gjykata duhej të vendoste për kërkesën brenda 24 orëve, por kërkesa mbeti pa përgjigje, dhe vetëm 22 ditë më vonë, Diana u vra.

Mosveprimi i gjykatës u bë më pas objekt i një beteje të gjatë ligjore nga prindërit e saj, Gëzim dhe Makfire Kastrati.

Në prill të vitit 2012, ata iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se mosveprimi i Gjykatës Komunale kishte cenuar të drejtat themelore të vajzës së tyre.

Në shkurt të vitit 2013, Gjykata Kushtetuese e pranoi ankesën e tyre.

Në vendimin e saj, ajo konstatoi se Gjykata Komunale kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore për shqyrtimin e kërkesës së Dianës për mbrojtje emergjente.

Sipas Kushtetueses, ky mosveprim përbënte shkelje të të drejtës për jetë, të garantuar nga Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, prindërit e Dianës vazhduan përpjekjet për të kërkuar përgjegjësi nga shteti.

Në nëntor të vitit 2013, ata ngritën padi kundër institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar kompensim për dëmin jomaterial të shkaktuar nga vrasja e vajzës së tyre.

Në vitin 2019, Gjykata Themelore në Prizren vendosi që Republika e Kosovës t’u paguante prindërve të Dianës 95 mijë euro dëmshpërblim për vuajtjet shpirtërore, por pas ankesës së Avokaturës Shtetërore, Gjykata e Apelit e uli shumën e dëmshpërblimit në 30 mijë euro.

Për vite me radhë, pamundësia e ekstradimit të të dyshuarit nga Spanja ka qenë një nga pengesat kryesore për procedimin e rastit të vrasjes së Diana Kastratit.

Në maj të vitit 2022, është raportuar se Spanja kishte refuzuar ekstradimin e të dyshuarit në Kosovë.

Ngritja e aktakuzës tani shënon një zhvillim të ri në rastin që ka mbetur pa epilog penal për 15 vjet.

Por kjo nuk nënkupton shpalljen fajtor të të akuzuarit, i cili prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Aktakuza vjen në një kohë kritike, kur Kosova po përballet me reagime të shumta pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor, për të cilën dyshohet ish-kunati i saj.

Edhe Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet, duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.

Pas vrasjes, një varg zyrtarësh policorë dhe prokurorësh u pezulluan nga detyra, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës dha dorëheqje, duke e cilësuar vendimin si akt të përgjegjësisë morale.

Kuvendi i Kosovës ka themeluar një komision hetimor parlamentar për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet institucionale në këtë rast.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -