Ekipi Medial i ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se nga sot do të rinisin publikimet në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale si Facebook dhe X.
Këto platforma do të përdoren për të publikuar materiale arkivorë që dokumentojnë veprimtarinë politike dhe institucionale të Hashim Thaçit gjatë karrierës së tij politike, përfshirë periudhën si Kryeministër dhe President i Republikës së Kosovës deri në përfundimin e mandatit të tij presidencial në vitin 2020.
Postimet do të përfshijnë fotografi, video, dokumente dhe materiale të tjera historike që pasqyrojnë aktivitetet zyrtare, takimet shtetërore dhe ndërkombëtare, fjalimet, deklaratat, vizitat, nismat institucionale dhe momentet kyçe të kësaj periudhe.
Sipas njoftimit të Ekipit Medial, publikimet do të fokusohet kryesisht në veprimtarinë e Hashim Thaçit, pa përfshirë komente, interpretime apo qëndrime lidhur me zhvillimet e tanishme politike.
Profilet zyrtare në Facebook dhe X do të administrohen nga Ekipi Medial i Presidentit Hashim Thaçi, i cili do të jetë përgjegjës për përzgjedhjen, përgatitjen dhe publikimin e materialeve.
Njoftimi thekson se këto platforma synojnë të shërbejnë si një arkiv publik për dokumentimin dhe ruajtjen e materialeve që lidhen me një periudhë të rëndësishme të historisë politike dhe institucionale të Republikës së Kosovës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




