Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Ron Raçi, mund të largohet nga Hajduku i Splitit gjatë afatit kalimtar të janarit.
Kjo vjen pasi raportohet se ai është i pakënaqur me minutazhin që po merr në skuadrën kroate.
Sipas informacioneve, futbollisti 24-vjeçar nuk është më në planet kryesore të trajnerit Gonzalo Garcia dhe po shqyrton mundësinë e largimit për të gjetur një ambient ku do të ketë më shumë hapësira për të luajtur, sipas Nogometne Vijesti.
Situata e Raçit te Hajduku është përkeqësuar gjatë javëve të fundit.
Paraqitja e tij e fundit ishte në derbin ndaj Dinamo Zagrebit, ku skuadra e Splitit fitoi me rezultat 2-1.
Në atë takim, mbrojtësi kosovar u përfshi në një episod të pafavorshëm, pasi gabimi i tij i kushtoi Hajdukut golin e vetëm të Dinamos.
Që nga ajo ndeshje, Raçi nuk ka arritur të regjistrojë asnjë minutë në pesë takimet e fundit të skuadrës.
Kjo situatë ka shtuar dyshimet për të ardhmen e tij në Poljud, ndërsa largimi gjatë afatit kalimtar dimëror po përmendet gjithnjë e më shumë si një mundësi.
Raçi iu bashkua Hajdukut nga Prishtina në sezonin e kaluar.
Sipas të dhënave të Transfermarkt, vlera e tij në tregun e transferimeve vlerësohet në rreth 440 mijë euro.




