Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në përurimin e hapësirave të renovuara të Njësisë Koronare në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku janë investuar 211 mijë euro.
Gjatë ceremonisë, Kurti theksoi se investimet në QKUK po kontribuojnë në transformimin e hapësirave shëndetësore, përmirësimin e kushteve për pacientët dhe krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për punën e mjekëve specialistë dhe infermierëve.
Ai rikujtoi se para gjashtë muajsh ishte përuruar hapësira e renovuar e Kardiologjisë Invazive, ku ishte instaluar një angiograf i ri, investim që kap vlerën mbi një milion euro dhe që, sipas tij, tashmë është në shërbim të pacientëve dhe po ndihmon në uljen e listave të pritjes. “Të nderuar pranishëm, hap pas hapi hapësirat e QKUK-së po renovohen aq thellësisht saqë po transformohen.
Me secilin investim po sigurohen edhe pajisjet moderne, po krijohen kushte më të mira për shërim për pacientët dhe njëkohësisht mundësi më të mëdha për shërim për ta, meqenëse këto kushte i dedikohen edhe atyre që kujdesen për pacientët, përkatësisht mjekëve specialistë dhe infermierëve.
Para gjashtë muajsh ne u takuam këtu që ta përurojmë hapësirën e transformuar të Kardiologjisë Invazive, kur edhe u instalua angiografi i ri.
Ky investim, i cili e kalon vlerën prej 1 milion euro, tash është në shërbim të pacientëve dhe po ndihmon në uljen e listave të pritjes”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se në Njësinë Koronare pacientët kanë nevojë për mbikëqyrje të afërt, trajtim dhe kujdes të vazhdueshëm, duke vlerësuar se hapësirat e reja do të ndihmojnë në ofrimin e shërbimeve më cilësore shëndetësore.
Të dyja fazat e investimeve janë realizuar me mbështetjen e Qeverisë së Luksemburgut, për të cilën kryeministri shprehu mirënjohje.
Kurti theksoi se rezultatet e këtij bashkëpunimi po reflektohen në punën e përditshme të klinikës dhe në shërbimet që marrin qytetarët e Kosovës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
