Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se rastet e fruthit vazhdojnë të regjistrohen në vend, duke theksuar nevojën për vaksinimin e fëmijëve dhe plotësimin e dozave të humbura.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, nga 16 prilli deri më 25 tetor 2026, janë konfirmuar gjithsej 242 raste me fruth, prej të cilave 18 janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit. “Mbi 95% e rasteve të konfirmuara i përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Këto të dhëna theksojnë rëndësinë e vaksinimit si masë kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj.
Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë komplikime serioze, sidomos te fëmijët e vegjël.
Vaksinimi në kohë i mbron fëmijët nga kjo sëmundje dhe ndihmon në mbrojtjen e komunitetit, përfshirë foshnjat dhe ata që, për arsye shëndetësore, nuk mund të vaksinohen,” thuhet në njoftim.
IKSHPK-ja u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, nëse kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë.
Gjatë këtij viti, përmes këtyre aktiviteteve janë vaksinuar mbi 4.006 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.
Ky rezultat është dëshmi e rëndësisë së angazhimit të prindërve dhe profesionistëve shëndetësorë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve. “IKSHPK-ja u bën thirrje të gjithë prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, nëse kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë.
Asnjë fëmijë nuk duhet të mbetet i pambrojtur për shkak të vaksinimit të vonuar ose të papërfunduar.
Vetëm përmes bashkëpunimit të prindërve, profesionistëve shëndetësorë dhe institucioneve mund të rritet mbrojtja e fëmijëve dhe të ndërpritet përhapja e fruthit.
Vaksinimi është e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët.
Mbrojtja e çdo fëmije fillon me vaksinimin në kohë,” theksohet nga IKSHPK-ja.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
