Hendbollistët e Kosovës kanë bërë një tjetër hap të rëndësishëm drejt Kampionatit Botëror 2027, duke siguruar për herë të tretë radhazi kualifikimin në raundin e fundit të kualifikimeve për ngjarjen më të madhe të hendbollit botëror.
Pavarësisht humbjes në ndeshjen e kthimit ndaj Estonisë, e zhvilluar të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, “Dardanet” arritën ta sigurojnë avancimin falë fitores bindëse të së premtes, me rezultat 39:22.
Në ndeshjen e dytë, Kosova pësoi humbje me rezultat 27:25, por epërsia prej 17 golash nga përballja e parë rezultoi vendimtare për kualifikimin.
Pjesa e parë e takimit të së shtunës përfundoi baras, 14:14, ndërsa edhe në minutat e para të pjesës së dytë zhvillimi i lojës ishte i ekuilibruar.
Megjithatë, Estonia arriti të krijonte epërsi deri në pesë gola rreth minutës së 50-të. “Dardanet” reaguan në vazhdim, duke përmirësuar lojën në mbrojtje dhe duke qenë më efikase në sulm.
Kosova ngushtoi diferencën, por nuk arriti ta shmangte humbjen.
Megjithatë, rezultati i ndeshjes së parë bëri që kombëtarja kosovare të mos rrezikonte kualifikimin.
Ky është një sukses i rëndësishëm edhe për përzgjedhësin kroat Nenad Shoshtaric, i cili e ka udhëhequr Kosovën edhe në Lojërat Mesdhetare, ku kombëtarja ishte paraqitur kryesisht me lojtarë të rinj.
