Mijëra të rinj shqiptarë u mblodhën të shtunën para Ministrisë së Arsimit në qendër të Tiranës, në ditën e pestë të një lëvizjeje studentore që po merr hov kundër Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Protesta u përshkallëzua në dhunë kur një grup të rinjsh të maskuar hodhën gurë drejt policisë së trazirave, që iu përgjigj me granata trullosëse, gaz lotsjellës dhe topa uji.
Protesta e sotme u thirr si tubim gjithëpërfshirës kombëtar, ku përveç studentëve dhe gjimnazistëve, pritej të merrnin pjesë edhe qytetarë dhe përfaqësues të ndryshëm nga diaspora.
Protestat kundër korrupsionit dhe mungesës së vendeve të punës kanë filluar të përhapen në të gjithë Shqipërinë, por Rama i ka hedhur poshtë thirrjet për dorëheqje.
Sipas të dhënave të Policisë, deri tani janë ndaluar 500 protestues, 330 prej të cilëve janë liruar.
Rreth 120 policë dhe 45 protestues janë raportuar si të lënduar, ndonëse është e mundur që shumë raste të lëndimeve të protestuesve të mos jenë regjistruar.
Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka publikuar gjetjet paraprake të monitorimit të kryer gjatë katër ditëve të protestave, duke evidentuar shqetësime për kushtet e ndalimit, trajtimin e të miturve dhe pretendimet për përdorimin e dhunës ndaj personave të privuar nga liria.
Në një deklaratë për mediat, Shabani informoi se ekipet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës kanë monitoruar situatën në komisariatet nr. 1 deri në nr. 6 në Tiranë, në Bllokun e Sigurisë, në Spitalin e Traumës, si dhe në komisariatet e Korçës, Vlorës dhe Shkodrës.
Ai theksoi se gjatë 72 orëve të fundit janë kontaktuar 214 persona të ndaluar, ndërsa janë zhvilluar intervista konfidenciale me të arrestuar, të shoqëruar, persona të lënduar, mjekë dhe psikologë.
Shabani po ashtu njoftoi se vetëm në datat 14 dhe 15 tetor, në Spitalin e Traumës kanë marrë shërbim 128 persona, prej të cilëve 86 punonjës policie, 38 protestues dhe 5 të mitur.
Avokati i Popullit dënoi të gjitha format e dhunës që kanë shoqëruar protestat e ditëve të fundit. “Dënojmë dhunën ndaj policëve.
Dënojmë dhunën ndaj protestuesve.
Dënojmë dëmtimin e pronës publike dhe të pronës private, përfshirë bizneset”, thuhet në deklaratë.
Cilat janë kërkesat e protestuesve?
Studentët shprehin se protestojnë kundër kostove të larta të arsimit dhe korrupsionit qeveritar, ndërsa kërkesa kryesore është dorëheqja e Qeverisë së udhëhequr nga Edi Rama.
Ata janë bashkuar me nxënës të shkollave të mesme.
Mësimi është bojkotuar në universitete në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, si dhe në disa gjimnaze të kryeqytetit.
Ata shprehin inat për shitjen e zonave të paprekura të bregdetit shqiptar për ndërtimin e një kompleksi turistik luksoz, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Trazirat janë një sfidë për Ramën, i cili fitoi mandatin e katërt vitin e kaluar, duke premtuar se do ta udhëheqë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, me synimin që vendi të anëtarësohet në BE që në vitin 2028.
Më herët të premten, Rama bëri thirrje për qetësi dhe fajësoi “duart e huaja” për trazirat e dhunshme disaditore.
Ai nuk i identifikoi ato, por tha se po synojnë të pengojnë përpjekjet e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. “Këto janë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë”, tha ai në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook.
Rama këmbënguli se protestat nuk kanë të bëjnë “fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që dëshiron një jetë më të mirë”. “E gjithë kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që e ka kapur për fyti opozitën shqiptare, dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë, dhe që është gati ta djegë e ta shkatërrojë përsëri, për të mos e lënë të bëjë përpara”, tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





