Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të angazhohet në grupin punues të formuar për të hartuar mbrojtjen në shkallën e dytë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se përfaqësimi i partisë në këtë grup do të bëhet përmes akademikut Kujtim Shala, të cilin ai e ka propozuar tek shefja e Grupit Parlamentar.
Në rast se Shala nuk arrin të marrë pjesë, LDK-ja do të përfaqësohet nga deputetja Jehona Lushaku-Sadriu. “Po natyrisht, do të marrim pjesë.
I kërkova shefes së grupit parlamentar që të propozojë akademik, Kujtim Shalën.
Nëse akademiku Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do të jetë vetë Jehona Lushaku-Sadriu”, ka thënë Abdixhiku.
Ai vlerësoi se përpjekjet e përbashkëta në këtë drejtim janë të mirëseardhura, por paralajmëroi se nismat që nuk kanë efekt juridik mund të krijojnë pritshmëri të pabazuara te qytetarët. “Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”, tha kreu i LDK-së.
Pjesëmarrja e LDK-së në grupin punues vjen si vazhdimësi e përpjekjeve për të koordinuar angazhimet lidhur me fazën e dytë të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





