Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se mosmbrojtja e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, paraqet një rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.
Duke folur për rëndësinë e ruajtjes së vlerave të UÇK-së, Haradinaj shprehu se çdo veprim në mbështetje të saj është i mirëpritur, pavarësisht vonesave. “Siguria jonë kombëtare rrezikohet kur ne nuk e mbrojmë vlerën tonë që është themel i ekzistencës sonë, që është UÇK-ja.
Më vjen keq me shtu se nëse nuk e mbrojmë aleancën me Amerikën dhe NATO-n, prapë e rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare.
Rrezikohet kur ne nuk i kryejmë punët tona”, tha Haradinaj.
Ai theksoi se mbështetja për UÇK-në duhet të jetë e vazhdueshme dhe shprehu keqardhje që, sipas tij, është dashur të rikujtojë rëndësinë e kësaj çështjeje. “Mbështesim çdo veprim dhe mbështetje të UÇK-së, sado vonë, më mirë se hiç.
Më vjen marre unë që jam UÇK e po duhet me ju thënë këto fjalë”, u shpreh ai.
Haradinaj gjithashtu iu bëri thirrje partive opozitare që të bashkohen në përpjekjet për të kundërshtuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, të cilën e cilësoi si keqqeverisje. “Lirinë tonë e mbrojmë duke bërë opozitë të vërtetë.
Duhet të bashkohemi kundër keqqeverisjes së Kurtit, kundër krejt përçarjes që ia bën këtij vendi.
Ju ftoj të bashkohemi që t’i bëjmë opozitë të vërtetë keqqeverisjes së Kurtit”, përfundoi Haradinaj.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





