Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar ashpër Serbinë për pretendimet e saj territoriale ndaj Kosovës dhe për faktin se Milan Radojiçiq, i cilësuar si organizator i sulmit në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Nagavci theksoi se ndërsa Kosova është angazhuar në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për sigurinë rajonale, Serbia vazhdon me ndërhyrjet politike dhe tolerimin e individëve të lidhur me krimin e organizuar. “Më 9 tetor, në Kragujevc, kryeterroristi Milan Radojiçiq u shfaq pranë djalit të Aleksandar Vuçiqit në tubimin e Partisë Progresive Serbe.
Organizatori i sulmit terrorist të Banjskës, ku u vra heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, i sanksionuar ndërkombëtarisht për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe ndaj të cilit është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar përmes Interpolit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, deklaroi Nagavci.
Ajo theksoi se shfaqja publike e Radoiçiqit pranë familjes së presidentit serb ndodhi në një moment kur në Serbi po zhvilloheshin protesta kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes. “Radoiçiqi e ka pranuar organizimin e grupit që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023”, tha Nagavci, duke kritikuar autoritetet serbe për mosdorëzimin e tij te drejtësia e Kosovës dhe moszbatimin e fletarrestimit ndërkombëtar.
Nagavci kritikoi po ashtu deklaratat e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili, sipas saj, më 7 tetor në Rashkë deklaroi se flamuri serb do të valëvitet mbi Prizren dhe se Kosova mund të jetë e pushtuar, por kurrë e pavarur. “Këto nuk janë vetëm deklarata elektorale, por vazhdimësi e pretendimeve territoriale nga të cilat Beogradi nuk ka hequr dorë.
Edhe nderimet publike për Ratko Mladiqin, të dënuar për gjenocid, e dëshmojnë këtë trashëgimi politike”, u shpreh Nagavci.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





