Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka shprehur shqetësimin e tij për rritjen e tensioneve gjatë protestave në Tiranë, duke dënuar ashpër aktet e dhunshme dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Në reagimin e tij, Delegacioni i BE-së i ka bërë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo formë dhune, duke theksuar se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore. “Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.
U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune.
Dhuna nuk ka vend në demokraci.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane.
Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore,” theksohet në reagimin e Delegacionit të BE-së.
BE nënvizon se liria e tubimit dhe e shprehjes përbëjnë vlera thelbësore evropiane dhe duhet të respektohen nga të gjithë.
Delegacioni gjithashtu thekson rëndësinë e dialogut konstruktiv mes palëve, duke e cilësuar atë si rrugën që çon drejt zgjidhjes së shqetësimeve legjitime. “Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime,” përfundon reagimi.
Edhe sot, studentët kanë nisur protestën dhe grumbullimet në rrugët e Tiranës që në orët e para të mëngjesit, me nxënës dhe studentë që i janë bashkuar duke bojkotuar procesin mësimor.
Në terren janë vendosur forcat e Policisë, të cilat po marrin masa për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e dëmtimeve të objekteve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





