Deputeti i vetëm shqiptar në Luginën e Preshevës, Shaip Kamberi, ka shprehur shqetësimin për mungesën e transparencës lidhur me qindra milionë eurot që Serbia ndan çdo vit për serbët në Kosovë.
Ai akuzon pushtetin serb për bllokimin e mjeteve që janë të destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Në një reagim të publikuar nga Koalicioni Shqiptar, Kamberi ka kërkuar llogaridhënie për fondet publike të Serbisë dhe zhbllokimin e mjeteve që Kosova ndan për projekte specifike në mbështetje të komunitetit shqiptar në Luginë.
Kamberi i është referuar deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cila u bë më 13 shtator 2022 në Kuvendin e Serbisë, ku ai tha se shteti serb ndan nga 700 deri në 820 milionë euro në vit për Kosovën.
Sipas deputetit shqiptar, edhe pse këto shuma janë të deklaruara, nuk është e qartë se ku përfundojnë këto para dhe kush është përgjegjës për shpenzimin e tyre. “Në Kuvendin e Serbisë, A.
Vuçiq kishte deklaruar se Serbia ndan për ‘çdo vit 700-820 milionë’ euro për Kosovën, por pa specifikuar se kujt i paguhen këto para dhe kush i kontrollon.
U pranua se shuma e saktë nuk dihej dhe se jo të gjitha mjetet kalonin përmes ‘Zyrës për Kosovën’”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka ngritur gjithashtu pyetje për destinimin e pjesës tjetër të fondeve, duke u mbështetur në vlerësimet për shumat që ndahen përmes Zyrës për Kosovën dhe ministrive të tjera të Serbisë. “Nëse vlerësimet për 100-180 milionë euro për Zyrën për Kosovën dhe rreth 100 milionë përmes ministrive të tjera janë të sakta, ku përfundojnë qindra milionët e mbetur?
Kush i përfiton dhe kujt i jep llogari?”, ka pyetur deputeti.
Nga ana tjetër, Kamberi ka theksuar se Serbia po bllokon fondet që Kosova ndan për shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përfshirë projekte dhe programe që synojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për komunitetin shqiptar.
Sipas tij, bëhet fjalë për 129 projekte dhe katër programe që përfshijnë librat falas për nxënësit, praktikën profesionale, funksionimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe aktivitetet e avokimit.
Duke krahasuar mënyrën e trajtimit të këtyre fondeve, Kamberi theksoi se ka një dallim të qartë mes financimit për serbët në Kosovë dhe mbështetjes për shqiptarët në Luginë. “Dallimi është i qartë: për qindra miliona euro kërkohet besim, pa transparencë të plotë publike.
Për librat e fëmijëve shqiptarë dhe projektet konkrete për komunitetin shqiptar vendoset bllokadë”, ka deklaruar ai.
Kamberi ka kërkuar transparencë për çdo euro të parasë publike dhe heqjen e pengesave për fondet e destinuara për shqiptarët e Luginës së Preshevës. “Të drejtat e pakicave nuk mund të varen nga interesat politike të pushtetit.
Llogaritë të bëhen publike.
Mjetet të zhbllokohen.
Barazia të zbatohet”, ka përfunduar Kamberi në reagimin e tij.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





