Seanca në Gjykatën e Apelit për rastin e Liridona Ademajt, ku do të shqyrtohen ankesat e palëve, është caktuar të mbahet më 29 tetor, në orën 09:50.
Naim Murseli po kërkon ndryshim të vendimit, konkretisht ulje të dënimit, në ankesën prej 30 faqesh, që është dorëzuar nga dy avokatët e tij.
Në ankesë pretendohet se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive.
Mbrojtja ngre pretendime edhe për mënyrën e marrjes në pyetje të Murselit nga policia.
Nga ana tjetër, në Apel ka dorëzuar ankesë edhe familja Ademaj.
Përmes avokatit të tyre, ata kërkojnë që përveç Murselit dhe Granit Plavës, edhe i akuzuari Kushtrim Kokalla të mbetet përjetësisht në burg.
Dënimi prej 30 vjetësh burgim ndaj Kokallës, i shpallur fajtor për ndihmën që iu dha Murselit e Plavës, nga familja e Liridonës po konsiderohet i ulët.
Asnjë nga rrethanat rënduese, siç thuhet në ankesën e dorëzuar, nuk janë vlerësuar në mënyrë të drejtë, përfshirë shkallën e lartë të rrezikshmërisë shoqërore dhe mënyrën mizore të vrasjes.
Treshja, sipas gjykatës, ka vepruar si grup kur e hartuan planin për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Kushtrim Kokalla, pasi refuzoi ta kryejë vetë vrasjen, gjeti Granit Plavën, i cili në këmbim të parave, shtiu me armë zjarri në drejtim të Liridona Ademajt.
Planin e kishin bërë bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli, i cili ishte edhe bashkekzekutor i gruas, për shkak të mllefit dhe dëshirës për hakmarrje për shkak të raporteve të çrregullta dhe përfitimeve financiare.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





