Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se Serbia ka vendosur 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë afër kufirit me Kosovën.
Ai e krahasoi këtë situatë me veprimet e Rusisë përpara aneksimit të Ukrainës.
Maqedonci, në një intervistë për “Talking With TVP World”, theksoi se Serbia po mbështet grupet kriminale në Kosovë për të destabilizuar vendin dhe për të kërcënuar sigurinë e Ballkanit Perëndimor. “Serbia po mbështet gjithashtu grupet kriminale në Kosovë, të cilat merren me kontrabandë dhe aktivitete të tjera kriminale, me qëllim që të destabilizojë Kosovën dhe, përmes destabilizimit të saj, të kërcënojë edhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që të paraqitet si një aktor i rëndësishëm dhe të ndjekë interesat e saj hegjemoniste ndaj të tjerëve”, ka thënë Maqedonci.
Ai vazhdoi duke theksuar se Serbia po e rrezikon Kosovën me pozicionimin e kapaciteteve ushtarake përgjatë kufirit. “E shohim se Serbia, përveç veprimeve hibride kundër vendit tonë, po e ekspozon Kosovën edhe ndaj kërcënimeve, duke pozicionuar kapacitetet e saj ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
Janë 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë së forcave ushtarake dhe policore serbe të vendosura pranë vijës kufitare me Kosovën.
Kjo na ngjan me atë që bëri Rusia para aneksimit të Ukrainës”, tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





