Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, ka theksuar se është e domosdoshme që institucionet në Kosovë të koordinohen për të siguruar një proces të suksesshëm të apelimit në lidhje me çështjen e Gjykatës Speciale.
Kjo deklaratë vjen pas komenteve të komisioneres së Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cila tha se ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme për BE-në.
Nagavci nënvizoi se harmonizimi i qëndrimeve mes Kuvendit, Qeverisë dhe diplomacisë është shumë i rëndësishëm për vendin.
Ajo theksoi se LVV-ja kishte shprehur rezerva për trajtimin e kësaj çështjeje përmes një projektligji, duke sugjeruar se do të nevojitej një strategji shtetërore për këtë proces. “S’ka asnjë dyshim që është në interes vital të rëndësishëm për Republikën e Kosovës, që të kemi një harmonizim të gjitha institucioneve, pra të Kuvendit, të qeverisë, të diplomacisë sonë dhe të gjitha drejtimet, në mënyrë që apelimin e Gjykatën e Apelit të bëhet në mënyrën e suksesshme, dhe nevojitet më shumë se asnjëherë një koordinim në raport me adresimin në Gjykatën e Apelit,” tha ajo.
Ajo vazhdoi të shpjegojë se LVV-ja kishte shprehur rezerva në lidhje me projektligjin, duke argumentuar se kjo çështje duhej të trajtohej përmes një strategjie shtetërore për të siguruar sukses në këtë drejtim.
Megjithatë, Nagavci theksoi se LVV-ja mbështet deputetët që besojnë se ndryshimet ligjore janë rruga e duhur, duke bërë thirrje për bashkëpunim politik dhe institucional për të adresuar këtë çështje. “Gjithsesi, siç e kemi thënë edhe në seancë, ne kemi dhënë mbështetje deputetëve të cilët kanë besuar që kjo është rruga e duhur, kështu që edhe në këtë pikë na nevojitet një koordinim e bashkëpunim për ta adresuar qëllimin e përbashkët që e kemi që të japim maksimumin për të adresuar bindjen tonë se lufta e ushtrisë çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë e pastër, luftë çlirimtare dhe se agresion dhe gjenocid kanë kryer Serbia.
Në këtë pikë, unë mendoj që nuk ka asnjë dilemë e dyshim jo vetëm nga deputetët, nga partitë politike, por nga secili qytetar i Republikës së Kosovës dhe jo vetëm.
Andaj, na nevojitet që të tejkalojmë protagonizmin, por e kemi parë në të kaluarën edhe të punojmë bashkërisht që të jemi të suksesshëm në adresimin e kësaj sfide,” përfundoi ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





