Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në INTERPOL do të forconte mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në luftimin e krimit, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e hapjes së edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës.
Kurti theksoi se integrimi më i madh ndërkombëtar mbetet i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, duke përmendur përfitimet që do të sillte anëtarësimi në këto dy organizata. “Sidoqoftë, nuk duhet ta humbim nga vëmendja rëndësinë që integrimi më i madh ndërkombëtar do të kishte për qytetarët e Kosovës.
Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shembull, do t’u mundësonte të gjithë qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në sistemin më të gjerë evropian për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ndërkaq, anëtarësimi në Interpol do t’u mundësonte institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë të shkëmbenin informacione dhe të bashkëpunonin në kohë reale me forcat policore në mbarë botën, duke forcuar aftësinë tonë për të parandaluar dhe për t’iu përgjigjur krimit ndërkufitar,” tha ai.
Kurti vlerësoi se, përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, Kosova ka kaluar nga sfidat e para të ndërtimit të shtetit drejt një pjesëmarrjeje më aktive në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare. “Përmes diplomacisë, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe dialogut, kemi kaluar nga sfidat fillestare të ndërtimit të shtetit drejt shndërrimit në një pjesëmarrës aktiv në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian po vazhdon, ndërsa tashmë dy vjet qytetarët e Kosovës po udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen,” tha ai.
Kurti theksoi se temat që po e formësojnë politikën ndërkombëtare, përfshirë paqen dhe sigurinë, sovranitetin, zhvillimin, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, kanë përcaktuar në masë të madhe edhe përvojën e Kosovës si shtet. “Fakti që ky program po organizohet tashmë prej dymbëdhjetë vjetësh pasqyron interesimin dhe përkushtimin e një gjenerate diplomatësh, të cilët janë të gatshëm të angazhohen për përballimin e sfidave globale dhe të kontribuojnë në gjetjen e zgjidhjeve për to.
Kosova është një vend i shkëlqyer për këtë shkëmbim përvojash.
Shumë nga çështjet kryesore që po e formësojnë sot politikën ndërkombëtare, si paqja dhe siguria, sovraniteti dhe zhvillimi, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit, e drejta ndërkombëtare dhe roli i shteteve të vogla në rendin botëror në ndryshim, kanë përcaktuar në masë të madhe përvojën e Kosovës si shtet,” tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





