Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës në Luginën e Preshevës, përfaqësimi i shqiptarëve në Policinë e Serbisë vazhdon të jetë një çështje e hapur.
Në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, numri i policëve shqiptarë është zvogëluar ndjeshëm, ndërsa një pjesë e atyre që janë ende në shërbim po i afrohen moshës së pensionimit. “Nga viti 2016 e deri sot nuk ka asnjë.
E tash, në këto 25 vjet sa kanë punuar ata njerëz, një pjesë e tyre është larguar, ka shkuar në perëndim, një pjesë janë larguar nga puna dhe një pjesë e cila është punësuar atëherë në një moshë pak më të shtyrë, tashmë kanë arritur para pensionimit.
Pra numri i shqiptarëve po bie në mënyrë drastike dhe në 4-5 vitet e ardhshme do të vijmë në situatë çfarë e kemi pasur para luftës këtu te ne,” tha për RTK-në, Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës theksojnë se problemi nuk qëndron vetëm te largimi gradual i gjeneratës së parë të policëve, por edhe te mungesa e rekrutimeve të reja. “Shqiptarët në mënyrë masovike pas marrëveshjes së Konçulit janë integruar në policinë multietnike.
Prej asaj kohe, domethënë prej kush e di sa viteve, nuk kemi shqiptarë në nivel të përfaqësimit të popullsisë që jetojnë në këtë rajon.
Imagjinojeni, polici i fundit që është nxjerrë nga akademia është në vitin 2016,” tha Shqiprim Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik.
Kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, shprehet se nga ministri i Brendshëm i Serbisë ka marrë zotime se edhe shqiptarët do të përfshihen në procesin e rekrutimit. “Ne rrezikojmë që për 7-8 vite të gjithë ata policë të shkojnë në pension dhe të mbesim pa policë shqiptarë.
Deri tash nuk kanë pranuar.
Kemi parë një angazhim të shtuar të OSBE-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme ku kanë qenë edhe në një takim këtu te unë e pastaj kanë mbajtur edhe një tubim me të rinj të interesuar për t’u bërë policë.
Unë e shoh këtë herë një seriozitet më të madh dhe e shoh që ka pasur interesim edhe të rinjtë të cilët më tepër kanë aplikuar këtë herë, për shkak se e kanë pasur të humbur edhe shpresën sepse kur aplikon 10 herë e nuk pranohesh për arsyetime janë krejtësisht banale, shpresa humb,” tha Arbër Pajaziti, kryetar i Bujanocit.
Policia multietnike në jug të Serbisë u krijua në kuadër të procesit të vendosjes së paqes pas luftës në vitin 2001.
Marrëveshjet dhe procesi i integrimit parashihnin përfshirjen e komuniteteve lokale në strukturat e sigurisë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





