Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi për formimin e Qeverisë dhe marrjen e mandatit të ri nga homologu i tij bullgar, Rumen Radev. “Kam kënaqësinë t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e formimit të suksesshëm të qeverisë së re dhe marrjes së detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.
Dinamika e marrëdhënieve ndërkombëtare kërkon përpjekje të vazhdueshme për mbrojtjen efektive të interesave kombëtare.
Angazhimi juaj i palodhur për konsolidimin e Kosovës si anëtare e pavarur dhe e denjë e bashkësisë ndërkombëtare përbën një arsye të fortë për të besuar në suksesin e misionit tuaj,” shkroi kryeministri Radev.
Në letrën e tij, Radev shprehu mbështetje për Kosovën në proceset integruese. “Ju siguroj për gatishmërinë e qeverisë së drejtuar prej meje për të vazhduar mbështetjen për ofrimin e një perspektive të qartë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e plotë të vendit tuaj në Këshillin e Evropës,” thuhet në letër.
Për të thelluar më tej marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, kryeministri bullgar e ftoi Kurtin për një vizitë në Bullgari. “Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe kontaktet miqësore personale përbëjnë një bazë të mirëfilltë për thellimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet nesh.
Jam i bindur se një vizitë juaja zyrtare në Bullgari në të ardhmen e afërt do të kontribuojë ndjeshëm në ngritjen e partneritetit ndërmjet dy vendeve tona në një nivel të ri, më të lartë.
Ju lutem pranoni, i nderuar zoti Kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë,” thuhet në letrën e kryeministrit Radev.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





