Miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara: Çfarë Ndodhi Pas Dënimeve të Ish-Krerëve të UÇK-së?

Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas dënimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte më 16 shtator.

Megjithatë, votimi në Kuvend nuk përbën fundin e procesit.

Brenda tetë ditësh nga miratimi, ligji pritet të nënshkruhet dhe shpallet nga presidentja e re e Kosovës, Justina Shiroka Pula.


- Advertisement -

Nëse ajo nuk vepron brenda këtij afati, ligji do të konsiderohet i shpallur dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare.

Flamur Hyseni, profesor i Drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se vetëm pas publikimit të ligjit do të mund të vlerësohet saktësisht përmbajtja e tij përfundimtare. “Megjithatë, mbetet thelbësore që çdo ndryshim ligjor të jetë në përputhje me nenin 162 të Kushtetutës dhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës,” thekson Hyseni.

Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerësojnë se brenda afatit prej tetë ditësh, ka mundësi që ndryshimet në ligj të kontestohen në Kushtetuese nga palët e autorizuara, duke përfshirë të paktën dhjetë deputetë dhe Avokatin e Popullit, sipas Kushtetutës së Kosovës. “Kjo është veçanërisht e rëndësishme, sepse ndryshimet prekin juridiksionin, dënimet dhe procedurat e Dhomave të Specializuara,” thekson Gzim Shala, hulumtues i IKD-së.

Neni 162 i Kushtetutës u jep Dhomave të Specializuara status të veçantë. Çdo ndryshim ligjor që bie ndesh me këtë nen, mund të shkaktojë pretendime për shkelje kushtetuese.

Në lidhje me ligjin e ri, ai parasheh kufizimin e mandatit të Gjykatës në Hagë, transferimin e rasteve që nuk përfshihen në juridiksionin e saj te institucionet e drejtësisë në Kosovë, si dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Përveç kësaj, ligji ofron mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë dhe mundësinë për falje presidenciale.

Hyseni thekson se Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin e veçantë. “Miratimi i ndryshimeve ligjore nuk nënkupton zbatimin e tyre automatik në procedurat gjyqësore,” thotë ai.

Shala, nga ana tjetër, shpjegon se nëse ligji shpallet, ai bëhet pjesë e rendit juridik të Kosovës dhe synon të ndryshojë kornizën ligjore të Dhomave të Specializuara, por nuk e obligon menjëherë Specialen për zbatimin e tij. “Jo automatikisht, dhe jo në mënyrën që mund të krijojë përshtypjen se Kuvendi mund t’i ndryshojë njëanshëm procedurat në Hagë,” thekson ai.

Ai shton se funksionimi i Gjykatës Speciale mbështetet në marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, të cilat kanë përparësi ndaj ligjeve të zakonshme. “Kosova nuk mund t’i ndryshojë vetëm me ligj të brendshëm obligimet që ka marrë ndaj Holandës, BE-së dhe mekanizmit të Dhomave të Specializuara,” thotë Shala. Çdo transferim i personave, dosjeve, provave ose ekzekutimi i dënimeve në Kosovë kërkon procedura konkrete dhe bashkëpunim institucional.

Ligji për Dhomat e Specializuara mund të prodhojë efekte juridike vetëm pas shpalljes së tij në Gazetën Zyrtare dhe hyrjes në fuqi.

Sipas Hysenit, ndikimi i mundshëm në vendimet dhe procedurat ekzistuese të Dhomave të Specializuara mund të vlerësohet vetëm pasi të dihet përmbajtja përfundimtare e ligjit dhe të shqyrtohet kushtetutshmëria e dispozitave përkatëse. “Deri atëherë, çdo përfundim mbi efektet konkrete juridike do të ishte i parakohshëm,” thotë Hyseni.

Nga IKD-ja vlerësojnë se hyrja në fuqi nuk i anulon automatikisht aktgjykimet apo vendimet e Dhomave të Specializuara.

Vetë teksti i miratuar përcakton se rastet që janë në zhvillim vazhdojnë sipas ligjit të vjetër, deri në nxjerrjen e aktgjykimit nga Apeli. “Pra, për lëndët që janë në ankesë, ndryshimet nuk e ndërpresin automatikisht procedurën në Hagë,” thotë Shala.

Ai thekson se ligji synon zbatimin e menjëhershëm të disa dispozitave, përfshirë kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe mundësinë e faljes individuale, por këto dispozita nuk prodhojnë automatikisht pasoja ndaj vendimeve të formës së prerë.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -