Policia e Kosovës ka njoftuar për mbarëvajtjen e protestës së sotme e cila u mbajt kundër mosvotimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Në njoftimin e saj, Policia theksoi se protesta ka nisur në orët e paradites pranë objekteve shtetërore dhe fillimisht ka qenë e qetë.
Sipas Policisë, gjatë protestës ka pasur raste të hedhjes së mjeteve piroteknike dhe fishekzjarreve, ku si pasojë një person i cili gjendej në masë, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
Zyrtarët policorë janë futur në masë për t’i ofruar ndihmë mjekësore.
Policia ka bërë të ditur se personi është nxjerrë nga turma në bashkëpunim me qytetarë dhe është dërguar brenda kordonit të sigurisë, ku ekipet mjekësore i kanë dhënë ndihmën e parë.
Sot, në orët e paradites, pranë objekteve shtetërore në Prishtinë, ashtu siç ishte paralajmëruar, ka filluar protesta e radhës, përmes së cilës protestuesit kanë vazhduar shprehjen e pakënaqësive ndaj aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Policia e Kosovës, në përputhje me mandatin dhe autorizimet ligjore, ka respektuar dhe garantuar të drejtën e qytetarëve për tubim dhe shprehje të lirë të pakënaqësive përmes protestës së qetë dhe demokratike.
Ajo ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për garantimin e rendit e sigurisë publike, sigurisë së qytetarëve dhe objekteve private e publike, si dhe për mbarëvajtjen e protestës.
Në protestën e cila ka filluar e qetë, fillimisht janë mbajtur disa fjalime nga organizatorët dhe pjesëmarrësit, për të vazhduar rreth orës 15:00, me vendosjen e tendave në sheshin “Ibrahim Rugova”, konkretisht pranë Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në orët e mbrëmjes, protestuesit nga sheshi “Ibrahim Rugova” janë zhvendosur në sheshin “Skënderbeu”, për të vazhduar protestën, ku kohë pas kohe nga persona të caktuar ka pasur hedhje të mjeteve piroteknike dhe fishekzjarre.
Gjatë protestimit, një personi i cili gjendej në masë, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, dhe zyrtarët policorë kanë ndërhyrë për t’i ofruar ndihmë mjekësore.
Ai është tërhequr nga masa në bashkëpunim me qytetarë, dhe është dërguar brenda kordonit të sigurisë, ku i është dhënë ndihma e parë nga ekipi mjekësor.
Policia e Kosovës falënderoi qytetarët për bashkëpunim dhe njëherazi vazhdoi t’u bëjë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke respektuar ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, në interes të sigurisë së përgjithshme.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e mandatit të saj ligjor dhe po monitoron situatën dhe zhvillimet në terren.
Forma e protestimit të qetë ndihmon dhe kontribuon në mbarëvajtjen e protestës, rendit dhe qetësisë publike, duke mos rrezikuar jetën dhe pronën publike e private.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





