Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë sot në Prishtinë.
OVL e UÇK-së i ka bërë thirrje qytetarëve dhe të gjithëve që kanë dalë nga lufta e UÇK-së që që nga orët e mëngjesit të jenë në sheshin e Prishtinës. “Nesër, mëngjesi duhet të na gjejë të gjithëve në sheshin e Prishtinës.
Të bashkuar dhe me dinjitet, për të mbrojtur atë që është e jona dhe për të dëshmuar se UÇK-ja na bashkon”, theksohet në njoftimin e OVL e UÇK-së, të publikuar të hënën në mbrëmje.
Ndërkohë, pas një nate të tensionuar në Prishtinë, Policia e Kosovës ka raportuar për protestën e zhvilluar, e cila ka pasur incidente dhe përplasje mes protestuesve dhe zyrtarëve policorë.
Sipas Policisë, disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Për shkak të situatës, Policia ka ndërhyrë disa herë për të parandaluar përshkallëzimin e ngjarjeve, duke përdorur pajisjet e saj, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.
Policëve iu është dashur të shoqërojnë tre persona për shkak të mosrespektimit të thirrjeve për qetësi dhe dyshimeve për veprime të paligjshme.
Policia ka njoftuar se gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme si pasojë e hedhjes së mjeteve në drejtim të institucioneve dhe, në disa raste, edhe ndaj policëve që ishin në detyrë.
Të gjithë zyrtarëve të lënduar u është ofruar trajtim mjekësor.
Gjatë protestës, edhe 11 qytetarë apo protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka konfirmuar se 12 persona janë lënduar gjatë protestës, përfshirë një pjesëtar të Policisë së Kosovës dhe 11 civilë.
Ai ka sqaruar se shumica e të lënduarve kanë kërkuar ndihmë për shkak të pasojave nga gazi lotsjellës, ndërsa dy persona kanë pësuar lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit. “Janë të lënduar 12 persona, prej tyre një polic dhe 11 civilë.
Shumica prej tyre janë ankuar në veprimet e gazit lotsjellës.
Dy prej tyre kanë pasur lëndime prerëse në pjesë të ndryshme të trupit”, ka thënë Syla.
Të gjithë të lënduarit janë trajtuar në Qendrën Emergjente dhe, pas marrjes së ndihmës mjekësore, janë liruar për në shtëpi.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





