Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka njoftuar se pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, ka përjetuar një incident me disa protestues që ishin mbledhur para Kuvendit.
Në një reagim publik, Rexhepi e ka cilësuar këtë rast si të papranueshëm, duke theksuar se ai dhe familja e tij kanë kontribuar në luftën e UÇK-së dhe në rrugën e Kosovës drejt lirisë. “Prandaj, ajo që ndodhi sot më dhemb.
Jo vetëm për atë që më ndodhi mua, por sepse akte të tilla nuk i bëjnë nder as Kosovës, as sakrificës së popullit tonë dhe as vlerave për të cilat luftuam”, ka shkruar Rexhepi.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se disa persona të identifikuar pas incidentit kanë kërkuar takim me të për t’i kërkuar falje.
Megjithatë, Rexhepi ka theksuar se kërkimfalja nuk e mbyll rastin.
Sipas tij, është identifikuar edhe personi që ai e quan “urdhërdhënësin e sulmit”. “Rastin do ta procedoj tutje në organet kompetente të rendit dhe drejtësisë së Republikës së Kosovës”, ka deklaruar deputeti i LVV-së.
Në përfundim, Rexhepi ka falënderuar qytetarët për mbështetje dhe mesazhet e tyre pas incidentit.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



