Ben Affleck beson se frika për humbjen e vendeve të punës dhe kërcënimet ndaj njerëzimit që i atribuohen inteligjencës artificiale janë kryesisht propagandë.
Aktori dhe skenaristi amerikan mendon se njerëzit, sapo fillojnë ta përdorin inteligjencën artificiale, kuptojnë se ajo mund të jetë një mjet i dobishëm dhe jo domosdoshmërisht një kërcënim. “Kur ajo të mos jetë më ky i huaj i mjegullt, abstrakt dhe i frikshëm – ‘do të na vrasë të gjithëve, do të shkatërrojë gjysmën e vendeve të punës në zyra, gjithë kjo propagandë’ – dhe kur njerëzit ta shohin realisht se çfarë është, do të kuptojnë se është thjesht një formë tjetër e teknologjisë kompjuterike, një mjet dhe një hap përpara në aspektin teknologjik,” ka deklaruar së fundmi Affleck për Bloomberg.
Affleck është një prej mbështetësve më të njohur të teknologjisë së inteligjencës artificiale në industrinë e filmit.
Në vitin 2022, ai themeloi “InterPositive”, një startup për prodhimin e filmave të fokusuar në inteligjencën artificiale, i cili, sipas raportimeve, u ble nga Netflix në fillim të këtij viti për 587 milionë dollarë.
Megjithatë, kur u pyet për rolin e inteligjencës artificiale në produksionin e filmit të tij të ri, “Animals”, Affleck nuk preferoi të zbulonte detaje. “Jam paksa ngurrues të tregoj gjëra të tilla apo të flas fare për to, sepse në punën time përpiqemi të krijojmë një iluzion të realitetit,” ka thënë ai.
Ai e shpjegoi këtë duke e krahasuar me një shfaqje magjie. “Është njësoj sikur të shkoni në një shfaqje magjie dhe magjistari të dalë në skenë e të thotë: ‘Para se të filloj, dua të dini se këtu ka edhe një lepur tjetër dhe ky person në publik është bashkëpunëtori im’.
Në njëfarë mënyre, kjo e prish magjinë,” ka shpjeguar Affleck.
Megjithatë, aktori, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 300 milionë dollarë, nuk është optimist për të gjitha aspektet e inteligjencës artificiale.
Një prej shqetësimeve të tij kryesore lidhet me ndikimin që kjo teknologji mund të ketë në arsim dhe me mundësinë që njerëzit të bëhen tepër të varur prej saj. “Kur shqetësohem për inteligjencën artificiale, shqetësohem për fëmijët e mi në shkollë.
Më shqetëson rritja me 30 për qind e notave maksimale në universitete gjatë tri viteve të fundit,” ka thënë ai. “Më shqetëson pafuqia e mësuar dhe përdorimi me përgjegjësi i saj.” Pikërisht tensioni mes përdorimit të inteligjencës artificiale si një mjet dhe varësisë së tepërt prej saj është bërë një prej temave kryesore në shumë industri.
Affleck thotë se në Hollywood nuk ka parë që inteligjenca artificiale të përdoret vetëm për “uljen e kostove apo për disa gjëra të tmerrshme”.
Sipas tij, teknologjia mund të plotësojë punën e njerëzve dhe jo domosdoshmërisht t’i zëvendësojë ata. “Tani po përdoret në filma ku punon i njëjti numër njerëzish dhe, teknikisht, madje po punësohen edhe më shumë njerëz,” ka deklaruar ai.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





