Protesta “Jo në emrin tim”: Çlirim Haziri Apelon për Veprim nga Qeveria

Organizatori i protestës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që Qeveria të procedojë në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në natën e 14-të të protestës, ai theksoi se votimi i deklaratës nga 99 deputetë nuk e plotëson kërkesën e protestuesve pa u ndjekur nga një ligj.

Haziri e filloi fjalimin e tij duke falënderuar qytetarët që, pas dy javësh, vazhdojnë të dalin çdo mbrëmje në shesh. “E di që pas një dite të gjatë, me hallet e punës, me fëmijët, me përditshmërinë dhe barrën që e ka secili prej nesh, më e lehta do të ishte të rrinim në shtëpi.


- Advertisement -

Por ja ku jemi!

Prapë bashkë.

Prapë këtu.

Duke lënë çdo rehati e çdo interes personal anash për t’i dalë zot dinjitetit të këtij vendi,” tha ai.

Sipas tij, protesta nuk po e humb forcën. “Vetëm shikojeni njëri-tjetrin në sy: këtu nuk ka plogështi!

Në këtë shesh ka vetëm një gjë që po zien çdo ditë e më shumë: këtu po soset durimi!

Nuk po rritet lodhja, por po soset durimi,” u shpreh Haziri.

Ai iu referua deklaratës së miratuar në Kuvend, duke theksuar se tashmë nuk ka vend për zhvendosje të përgjegjësisë nga një institucion te tjetri. “Deri dje luanin ping-pong me përgjegjësinë shtetërore.

Na shisnin mjegull e na thoshin: ‘Prisni Kuvendin, se pa folur Kuvendi nuk mund të bëjmë asgjë’.

Epo Kuvendi e bëri lëvizjen e vet. 99 deputetë të të gjitha partive e votuan atë deklaratën e famshme,” tha Haziri.

Megjithatë, ai e cilësoi deklaratën të pamjaftueshme nëse nuk pasohet nga miratimi i ndryshimeve ligjore. “Janë fjalë të radhitura bukur në një letër sa për të thënë: ‘Ja, ne e bëmë tonën, lajini duart’.

Zero pasoja juridike.

Zero!

Kjo deklaratë, pa ligjin prapa saj, është fiks me na ushqy me lugë të thatë,” deklaroi ai. “Kosova nuk është kullë e ndërtuar me letra.

Kosova është kullë e mundit, djersës, sakrificës e gjakut.

Kulla mbahet me vepra, e shteti mbahet me ligje!

Jo me deklarata,” shtoi Haziri.

Organizatori i protestës kërkoi nga deputetët që mbështetjen e shprehur me deklaratë ta dëshmojnë edhe kur projektligji të vijë për votim. “Nëse dje 99 duar u ngritën aq kollaj për një letër që askujt nuk ia prish terezinë, sa nga ato duar do të ngrihen kur ligji të vijë në rend të ditës?

A do t’u dridhet dora atëherë, apo do të fshihen nën tavolinë?” pyeti ai.

Haziri tha se vëmendja e protestuesve tani është te Qeveria, ku, sipas tij, ndodhet projektligji.

Ai theksoi se ende nuk po e akuzojnë Qeverinë për bllokim, por presin veprimin e saj. “Ne nuk po dalim sonte të bërtasim e të themi se e keni bllokuar e që nuk po doni ta votoni.

Kjo mbetet të shihet.

Ne po presim.

Nuk kemi dhënë verdikt.

Jemi duke ju matë,” u shpreh ai.

Më pas, Haziri iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Kurti: “Kryeministër, në atë tavolinë ti nuk e ke thjesht një projektligj!

Nuk është udhëzim i rëndomtë administrativ.

Nuk është rregullore e zakonshme.

Atë që keni mbi tavolinë është dinjiteti i këtij shteti!” Ai tha se sheshi nuk do të tërhiqet dhe paralajmëroi pjesëmarrje masive në protestën e 1 tetorit. “Ne kemi trokitur me fjalë.

Kemi pritur me durim.

Por durimi, vëllezër dhe motra, ka arritur në kufi!

Nëse mendoni se kjo revoltë mbyllet me një deklaratë fasadë, mbajeni mend mirë: Më 1 tetor, do ta kuptoni se çfarë force mban ky shesh!” tha Haziri. “Më 1 tetor, zëri ynë nuk do të jetë më pritje — do të jetë lum njerëzish, një vërshim i vërtetë, një uragan i pandalshëm i këtij populli!

Zgjidhja është në tavolinën tuaj.

Veproni sa nuk është vonë!”, përfundoi ai.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *