Reagimi i Altin Krasniqit ndaj Ambasadorit Britanik: Verifikoni Faktet Para Deklaratave Publike

Altin Krasniqi i është përgjigjur ambasadorit britanik, Jonathan Hargreaves, pas një postimi ku ai theksonte se krerët e UÇK-së janë dënuar për krime individuale.

Në një koment të tij, Krasniqi i sugjeroi Hargreaves-it që të kontrollojë më shumë faktet para se të bëhen deklarata të tilla në publik. “Si mund të flitet për përgjegjësi individuale kur, siç tregon përmbledhja e vendimit, të akuzuarit nuk u gjetën përgjegjës për veprime individuale siç pretendohej, por u dënuan për shkak të roleve të tyre si udhëheqës politikë të organizatës ushtarake e cila, në bashkëpunim me vendin tuaj, ndihmoi në çlirimin e Kosovës?” pyeti Krasniqi.

Më tej, djali i Jakup Krasniqit, i cili u dënua me 25 vjet burg nga Haga, i bëri thirrje ambasadorit britanik që t’i verifikojë faktet, pasi deklarata të tilla nuk i bëjnë nder as atij, as Britanisë së Madhe.


- Advertisement -

Ky është komenti i plotë i Krasniqit: “I nderuar Ambasador, Do të vlerësohej shumë nëse faktet do të verifikoheshin me më shumë kujdes para se të bëheshin deklarata të tilla publike.

Si mund të flitet për përgjegjësi individuale kur, siç tregon përmbledhja e vendimit, të akuzuarit nuk u gjetën përgjegjës për veprime individuale siç pretendohej, por u dënuan për shkak të roleve të tyre si udhëheqës politikë të organizatës ushtarake e cila, në bashkëpunim me vendin tuaj, ndihmoi në çlirimin e Kosovës?

I njëjti vendim thekson se objektivi i të akuzuarve dhe i UÇK-së ishte pavarësia e Kosovës – një pavarësi që u arrit pikërisht me mbështetjen e vendit tuaj – dhe se dhuna u përdor kundër individëve që e kundërshtonin atë objektiv.

Ambasador, ju bëj thirrje me respekt që t’i verifikoni faktet para se të bëni deklarata të tilla publike.

Deklaratat e kësaj natyre nuk i bëjnë nder as jush dhe as vendit që përfaqësoni, të cilit populli i Kosovës i mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e dhënë”, tha ai.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *