Bashkëshortja e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, Kristale Ivezaj Rama, ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e saj gjatë Javës së Modës në Milano.
Ajo ka qenë pjesë e dy sfilatave të ndryshme, duke sjellë dy paraqitje mjaft elegante dhe të veçanta në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të industrisë së modës.
Në njërën prej sfilatave, të organizuar nga “Gio Dress by Wael Jamal”, Kristale ka parakaluar me një fustan të gjatë në nuancë të artë, i cili spikaste për detajet e shumta me shkëlqim dhe punimin dekorativ.
Fustani, me pjesën e sipërme të strukturuar dhe detaje të imta në të gjithë sipërfaqen, i jepte një pamje glamuroze, ndërsa aksesorët minimalistë dhe grimi i theksuar plotësonin paraqitjen e saj.
Një ditë më parë, ajo ishte pjesë edhe e sfilatës së “Elfida Artinoff”, ku u shfaq me një stil krejtësisht tjetër.
Kristale parakaloi me një veshje elegante, të kombinuar me një pallto të gjatë me teksturë të theksuar dhe detaje voluminoze prej gëzofi në pjesën e jakës dhe mëngëve.
Pamjen e kompletoi me një aksesor të veçantë në kokë, ndërsa në të dyja paraqitjet u shfaq me një stil të kuruar deri në detaje.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com





