Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH), e cila funksionon nën Komandën e Gardës Kombëtare, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka përfunduar një trajnim të avancuar për Kërkim-Shpëtim.
Ky trajnim kishte për qëllim përmirësimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëtarëve për të përballuar operacione të ndryshme kërkim-shpëtimi.
Trajnimi dyjavor përfshiu një program të avancuar, që kombinoi teorinë me praktikën, me theks të veçantë në teknikat e specializuara për operim në terrene të vështira dhe në situata emergjente.
Sipas njoftimit, pjesëmarrësit zhvilluan njohuri dhe aftësi në fusha të ndryshme, duke përfshirë lidhjet dhe sistemet e ankorimit, boltimet, sistemet e litarëve, evakuimin e viktimave, teknikat e alpinizmit, si dhe procedura të tjera thelbësore për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Në përmbyllje të programit, u realizua një ushtrim 72-orësh në zonën e Rugovës.
Gjatë këtij ushtrimi, pjesëmarrësit zbatuan në praktikë njohuritë dhe teknikat e fituara, duke punuar në kushte të simuluara operacionale.
Ushtrimi kishte për qëllim vlerësimin e aftësive individuale dhe ekipore, koordinimin në terren dhe reagimin ndaj skenarëve të ndryshëm të kërkim-shpëtimit.
Në përfundim të trajnimit, 16 pjesëtarë u certifikuan me sukses, duke përmbyllur një program intensiv të përgatitjes profesionale dhe praktike.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





