Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, ka propozuar Anton Qunin nga LDK si kandidat për president të Republikës së Kosovës.
Geci e ka përshkruar Qunin si një figurë unifikuese, duke theksuar se “Atë e votojnë të gjithë deputetët e LDK. Është frymë e Koshares dhe e luftës.
Unë mendoj se e votojnë të gjithë”, ka thënë ai të premten.
Më 23 shtator, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Kuvendi është konstituar dhe se formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk është antikushtetues, duke vendosur një afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit, me konstatimin se afati ka filluar të rrjedhë më 8 gusht.
Zgjedhjet e 7 qershorit u shkaktuan pikërisht për shkak të dështimit të partive për t’u dakorduar për emrin e presidentit të ri.
Pas 7 qershorit, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kërkoi shtyrjen e seancës konstituive duke argumentuar se pa një marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk do të shmangnin zgjedhjet.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, pas disa takimeve, njoftuan se janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut për president.
Megjithatë, kjo marrëveshje u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së.
Ndërkohë, PDK-ja mbajti një qëndrim të prerë në opozitë dhe nuk diskutoi për ndonjë emër të propozuar nga VV-në.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info





